Provimi për patent shofer do të realizohet në mënyrë elektronike

Shumë shpejt provimi me shkrim për patent shofer do të realizohet në mënyrë elektronike. Kjo për shkak të projektit “e-testimit” të nënshkruar mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe kompanisë “PBC” gjatë vitit të kaluar.

Kurse tash është gati faza e parë e pilot projektit e cila do të fillojë tash për tash vetëm në qendrën e testimit në Prishtinë.Kështu kanë thënë zyrtarët për informimin pranë Ministrisë së Infrastrukturës, të cilët kanë potencuar që kjo mënyrë testimi do të përdoret fillimisht, vetëm në njërën nga klasat e testimit në Prishtinë.“Faza testuese do të filloj vetëm në një qendër të testimit dhe atë vlerësimet tona fillestare janë të fillohet në Prishtinë, në njërën klasë pasi që NJRPSH ka dy klasa ku organizohet provimi nga pjesa teorike, ashtu që për çdo eventualitet të kemi në dispozicion organizmin me shkrim të provimit dhe të jetë afër për intervenim në sanimin e problemit.

Kjo do të vazhdoi deri sa të sigurohemi se e-testimi është 100% i gatshëm për implementim në të gjitha qendrat dhe garanton siguri të plotë në testimin e kandidatëve ( eliminohen të gjitha mundësitë e manipulimin eventuale)”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës.

Ky projekt, duket se nuk do të shkaktoi ndonjë dëm në zhvillimin e provimit për patentë shofer, pasi që janë marrë të gjitha masat. Kurse sipas Ministrisë së Infrastrukturës, ata janë gati për të bashkëpunuar me të gjithë akterët, si Qendrat e Testimit dhe po ashtu Ministrinë e Punëve të Brendshme.“Jemi në vlerësim të gjendjes aktuale, dhe jemi në kontakt të vazhdueshme me ASHI dhe MPB, po presim që brenda gjashtë mujorit të parë të këtij viti të kryejmë të gjitha procedurat tjera, si: Instalimi i softuerit, futja e të dhënave ( pyetjet, shënimet e pjesës të e-shoferit: të dhënat për auto sholla, për ligjërues profesional dhe instruktor), të dhënat për pyetës ( ekzaminer) , lidhja me Regjistrimin Civil të Kosovës dhe me bazën e të dhënave për patentë shofer e MPB-së etj, ashtu që e-testimi të jetë i kompletuar në kuptimin e plotë të fjalë për fillimin e fazës testuese, dhe kjo fazë testuese do të jetë shoqëruar nga një komision profesionale për përcjelljen e lëshimeve eventuale, të metave dhe nevojave për plotësim të e-testimit.

Ku shpresojmë që faza testuese të filloi në kuartalin e tretë të vitit 2018”, kanë deklaruar në MI.Ata kanë menduar edhe për kandidatët që shumë shpejt do t’i nënshtrohen këtij provimi elektronik. Sipas Ministrisë së Infrastrukturës do të bashkëpunohet edhe me auto-shkollat për tu pajisur me këtë souftuer, në mënyrë që kandidatët të familjarizohen me këtë mënyrë testimi. Ndryshe, ky projekt pritet të implementohet në tërësi gjatë vitit 2019 në qendrat e testimit në tërë Kosovën.

Artikulli paraprakMbyllet Qeveria amerikane
Artikulli vijuesRama: HEC-et nuk ndërtohen