Provoni ekonominë Islame
E enjte, 06 Nëntor 2008
Nga: Dr. Aid El-Karni
Me të vërtetë, bota gjatë periudhës së sistemit socialist, kishte provuar që ekonominë ta zbatojë sipas këtij sistemi, mirëpo, me rënien e socializmit të gjithë pjesëmarrësit u gjunjëzuan dhe bankrotuan.Më pastaj bota provoi sistemin kapitalist ku u shtua pasuria individuale me të gjitha mjetet dhe rrugët e paligjshme duke shfrytëzuar djersën dhe mundin e të varfërve. Por, me kalimin e kohës, edhe ky sistem deklaroi falimentimin dhe përfundimin e tij. Andaj Islami ka mbetur si e vetmja zgjidhje për të shpëtuar ekonominë globale, i cili fton dijetarët islam që të punojnë me këtë sistem hyjnor. S’ka dyshim se Allahu i Madhërishëm e di më së mirë se ç’është më e dobishme dhe më e favorshme për robtë e Tij, mirëpo, fatkeqësisht njerëzit refuzuan të zbatojnë këtë Ligj hyjnor dhe përqafuan idetë, iluzionet dhe ligjet njerëzore. Allahu i Madhëruar thotë: “A thua mos po kërkojnë gjykimin e kohës së injorancës, po për një popull që bindshëm beson, a ka gjykim më i mirë se ai i Allahut?” (Suretu el-Maide 50). Sistemi ekonomik në Islam është valvul sigurimi për individin dhe shoqërinë. Ky sistem (sistemi ekonomik islam), për dallim nga sistemi socialist, mbron të drejtën e pasurisë së individit nëpërmjet rrugëve të ligjshme dhe legale sado që arrinë pasuria e tij. Po ashtu, ky sistem, për dallim nga sistemi kapitalist, ndalon fitimin e pasurisë nëpërmjet rrugëve të ndaluara dhe të dëmshme për njerëzit siç janë: kamata, fajdeja, ryshfeti, mitoja, etj., dhe u siguron nevojtarëve gjërat e nevojshme jetësore nga zeqati i të pasurve (që është 2.5% e pasurisë së mbetur për çdo vjet). Gjithashtu, i nxitë të pasurit që edhe nëpërmjet sadakave dhe lëmoshave të tjera të ndihmojnë vëllezërit e tyre të varfër. Është e habitshme se disa ekspertë të ekonomisë në Perëndim kanë kërkuar që të ndahen 2% nga fitimet dhe të ardhurat e secilit punëtor dhe ato mjete të destinohen në vendet përkatëse për të zbutur gjendjen ekonomike të shtresave të varfëra. Mirëpo, mos të harrojmë se feja e jonë Islame, para 14 shekujve ka paraparë dhe ka vendosur një ligj të tillë (siç është zekati). Shikoni se si e ka lejuar tregtinë dhe ka ndaluar kamatën, se si i fton njerëzit të fitojnë pasuri në mënyrë të ligjshme dhe të lejuar (hallall), pastaj i thërret ata ta ruajnë dhe ta mbrojnë pasurinë e tyre (pasi ajo në Islam është e shenjtë), i nxitë që të japin sadaka (lëmoshë) për të varfërit, si dhe bëri obligim (farz) dhënien e zekatit dhe ndaloi çfardo lloj fitimi në mënyrë të ndaluar (haram). Sipas teksteve kur’anore, inkurajohet investimi i lejuar. Abdurrahman ibën Aufi thoshte: “Më tregoni se ku është tregu”!. Kurse halifi i parë i muslimanëve, (kryetari i shtetit islam) Ebu Bekër Es-Siddiku r.a., vazhdimisht shkonte në treg dhe bënte tregti derisa as’habët i brengosi një gjë e tillë dhe i caktuan detyrimisht një rrogë nga arka shtetërore (bejtul mal), e pastaj u kthye në administratën shtetërore. Vërtetë është për t’u habitur se si disa musliman ftojnë ummetin islam që në aspektin ekonomik t’i imitojnë sistemet socialiste dhe kaptaliste te Lindjes dhe Përëndimit dhe harrojnë Ligjin e pastër hyjnor të Allahut të Madhërishëm!!! Ska dyshim se ky është imitim i verbër. I mposhturi nuk i beson më sistemit dhe programit të tij. I rrethuari nuk sheh më larg se sa muret e dhomës së tij. Lajkatari servil imiton ashtu siç imiton papagalli. Është fatkeqësi e madhe që disa nga arabët treguan mosbindje ndaj misionit të përhershëm Islam duke përqafuar marksizmin e kuq, socializmin e maskuar dhe kapitalizmin e planifikuar. Allahu është më i madhi dhe shkatërron të gjithë ata që tregohen tiranë dhe të padrejtë ndaj të tjerëve.
Atëherë ftoj botën e qytetëruar që të provojë ekonominë Islame ashtu siç provoi më parë sistemet njerëzore të cilat edhe koha dëshmoi se kanë dështuar rrënjësisht. E them këtë, për shkak se Ligji i Allahut të Madhërishëm në të gjitha veprimtaritë jetësore është më i larti ngase është nga Zoti i të gjitha botrave, kurse ligjet njerëzore janë më të ultat. Bota është në pritje të një shkatërrimi ekonomik, andaj zgjidhja e vetme është kthimi tek ekomomia e pastër Islame. Para kësaj, botën (joislame) e ka goditur edhe shkatërrimi i moralit dhe familjes së shëndoshë, andaj unë kundërshtoj me ngulim se mund të ekzistojë ndonjë problem çfardo lloji qoftë ai, i madh apo i vogël e që nuk ka zgjidhje në Islam. Si rrjedhojë, shumë ligjvënës në Perëndim kanë kërkuar ndihmë dhe zgjidhje nga dispozitat Islame, qofshin ato në vepra penale, marrëdhëniet familjare, të drejtat e gruas etj… Atëherë ku janë dijetarët (ulematë) tanë? Përse nuk i tregojnë njerëzimit se çfarë përmbanë kjo fe e pastër dhe kjo thirrje e sinqertë?! Përse nuk ju bëjnë të qartë Perëndimit se feja Islame është fe e vërtetë, e lehtë, tolerante, e drejtë, transparente etj.? Fatkeqësisht dijetarët tanë akoma janë në kundërthënie të vazhdueshme në mes veti sa i përket hënës së re (El-Hilal) gjatë muajit të Ramazanit, se a duhet të shikohet me sy apo me mjete astronomike!!!
Për fund, edhe një herë i drejtohem botës mbarë se zgjidhja e vetme për të dalur nga kriza financiare globale, gjendet tek ne (muslimanët) e që është një zgjidhje hyjnore, të cilën na ka sjellur Profeti Muhammed s.a.v.s. nga meleku Xhibril, e ky i fundit nga Allahu, Zoti i të gjitha botëve.
Marrë nga gazeta e njohur arabe: Esh-Sherku el-Eusat dt. 28.10.2008
Shqipëroi: Enes Koshi