A është njeriu përgjegjës për ndryshimin e klimës? Apo ka arsye të tjera? Shkencëtarë me emër dhe skeptikë me ndikim debatojnë në lidhje me ngrohjen gobale dhe shkaqet e saj.
Në janar të këtij viti 16 shkencëtarë u shprehën në gazetën amerikane Wall Street Journal se nuk ka argumente shkencore që të veprohet urgjentisht për ndalimin e ndryshimit të klimës. Madje edhe në Gjermani, ku skeptikët në krahasim me vende si Shtetet e Bashkuara kanë më pak ndikim politik, tërhoqi vëmendjen këto ditë një libër me titull “Dielli i ftohtë”.
Autorët Fritz Vahrenholt dhe Sebastian Lüning thonë se më pak se gjysma e ngrohjes aktuale shkaktohet nga njeriu. Shkaku kryesor i ndryshimeve klimatike janë aktiviteti diellor dhe fushat magnetike diellore, të cilat ndryshojnë në cikle. Meqenëse dielli hyn në një cikël të ftohtë, nuk është për t’u patur frikë nga ndonjë fatkeqësi.
E bërë nga dora e njeriut?
Ndërsa deklarata të tilla muajt e fundit, kanë dominuar shpesh titujt kryesorë të gazetave, institute të njohura shkencore kanë dhënë prova të tjera se ngrohja tokës është shkaktuar nga njeriu. Kështu Instituti Max Planck për Meteorologji së bashku me Qendrën gjermane për Llogaritjet Klimatike paraqitën llogaritje të reja, që porosisin se pa uljen e menjëhershme të emetimeve të dioksidit të karbonit ngrohja e tokës nuk mund të kufizohet në dy gradë celsius. Në muajin shkurt pesë institute franceze bënë parashikime të reja, që e konfirmojnë këtë tezë.
Nga vijnë të dhënat?
Zbulimet e studjuesve të klimës bazohen në matje dhe vezhgime të vazhdueshme në tokë, ujë, atmosferë dhe nga satelitë në hapësirë. Këto futen në modele kompjuterike të ndërlikuara, për të simuluar skenarë të së ardhmes. Këto modele plotësohen dhe kalibrohen me njohuri në lidhje me zhvillimet klimatike në të kaluarën. Me anë të shtresave të shkëmbinjve dhe të akullit, për shembull, studiuesit përcaktojnë se çfarë temperaturash kanë mbizotëruar në cilën kohë dhe çfarë kushtesh korresponduese ka patur në atmosferë.
Zhvillim jolinear
Të dhënat nga 36.000 stacione të motit tregojnë se temperaturat e tokës dhe oqeanit janë rritur që nga viti 1900 me një mesatare globale prej 0.8 gradë celsius. Dhjetëvjeçari nga 2000 deri 2009 konsiderohet si më i ngrohti që prej fillimit të matjes së temperaturës në mbarë botën. 1998, 2005 dhe 2010 mbajnë deri tani rekordin për temperaturat më të nxehta që nga fillimi i matjes së temperaturave. Kritikët, përfshirë këtu edhe 16 studiuesit amerikanë, që janë shprehur në Wall Street Journal dhe autorët e “Diellit të Ftohtë” e interpretojnë faktin që në asnjë vit nuk ka qenë më ngrohtë se në vitin 1998, si dëshmi për atë që toka nuk do të ngrohet më tej.
eter Lemke, drejtor i shkencave klimatike në Institutin Alfred Wegener dhe bashkëautor i raportit të fundit të Këshillit Botëror për Klimën, porosit që të kihet kujdes nga përfundime të tilla: “Nëse duam të konstatojmë një trend klimatik, na duhen të paktën të dhënat e 30 vjetëve,” thotë Lemke. Ngrohja nuk ka ndodhur në mënyrë lineare. Luhatjet rajonale dhe fenomenet natyrore si El Nino, apo oshilacioni i Atlantikut të Veriut krijuan për një farë kohe përshtypjen se ngrohja nuk po ndodh. Por në qoftë se vështrohet kurba totale, atëherë dallojmë një prirje të qartë.
CO2 apo shkaqe natyrore?
Studjuesit e klimës si Peter Lemke shohin një lidhje direkte mes rritjes së temperaturës së tokës dhe shtimit të përqindjes së dioksidit të karbonit në ajër në 200 vitet e fundit. “Vetëm 78 për qind e këtij shtimi vjen nga djegia e lëndëve djegëse fosile si qymyri, nafta dhe gazi. Mbetja, 22 për qind, është shkaktuar nga ndryshimi në shfrytëzimin e tokës”, shpjegon ai.
Skeptikët dyshojnë për këtë lidhje: “Ne natyrisht që nuk themi se CO2 nuk ka patur ndikim në ndryshimet e klimës sot,” shkruajnë Vahrenholt dhe Lüning në librin e tyre. “Megjithatë ne mund të tregojmë se së paku gjysma e ngrohjes së tokës në dyzet vitet e fundit është shkaktuar nga ndikimi i diellit dhe oshilacionet e oqeaneve. Dioksidi i karbonit mund të jetë përgjegjës për gjysmën tjetër të ngrohjes, ndoshta përqindja është edhe më e ulët.”
Nga ana tjetër as Peter Lemke i AWI nuk kundërshton se dielli luan një rol të rëndësishëm mbi klimën. Megjithatë aktiviteti diellor nuk është i mjaftueshëm për të shpjeguar luhatjet aktuale klimaterike. “Raporti i Këshillit Botëror për Klimën tregon shumë qartë se luhatjet natyrore të diellit shkaktojnë vetëm rreth pesë për qind të ndryshimit të temperaturës,” thotë shkencëtari.
Bindje apo lobiizëm
“Në ndryshimin e klimës është paraja e madhe”, konkludon profesori William D. Nordhaus, profesor ekonomie në Yale, në artikullin “Pse skeptikët e ngrohjës së tokës e kanë gabim”, botuar në New York Review of Books. “Të përfshira janë firma, industri dhe individë, që janë të shqetësuar se interesat e tyre ekonomike mund të dëmtohen për shkak të masave për mbrojtjen e klimës,” thotë Nordhaus. Kjo vlen të thuhet kryesisht me industrinë e naftës. Nordhaus i krahason kritikët e shkencës për klimën madje me fushatat e industrisë së duhanit, për të bindur konsumatorët dhe qeverinë se nuk ka prova shkencore për pasojat e pirjes së duhanit për shëndetin.
Edhe për autorët gjermane Vahrenholt dhe Lüning nuk mund të mohohet afërsia me industrinë energjitike. Fritz Vahrenholt është shef i këshillit ekzekutiv të RWE Innogy, një firmë bijë e gjigandit gjerman të energjisë RWE. Bashkëautori i tij Sebastian Lüning punon për sipërmarrjen e naftës dhe gazit RWE-Dea.
E gjitha vetëm panik i kotë?
“Skeptikë për pasojat e klimës” i quan profesor Otmar Edenhofer, kryeekonomist në Institutin e Potsdamit për Studimin e Pasojave të Klimës, ata që dyshojnë për pasojat katastrofale që mund të kishte ndryshimi i klimës. Ata theksojnë në vend të kësaj aspektet pozitive të ndryshimit të klimës si hapjen e sipërfaqeve të dobishme bujqësore në zonat e Rusisë apo Kanadasë, kur toka është gjithmonë e ngrirë, apo nxjerrjen më të lehtë të naftës dhe gazit nga burimet në Arktik. Ata minimizojnë edhe rrezikun e krijimit të shkretëtires dhe shtimin e thatësirave dhe përmbytjeve.
Një studim i ri i Institutit të Potsdamit për Studimin e Pasojave të Klimës (PIK) ka konstatuar “lidhjen e qartë” mes shtimit të rreshjeve ekstreme dhe valëve të të nxehtit me “ngrohjen e shkaktuar nga njeriu.” Shkencëtarët nga Potsdami paralajmërojnë që të mos injorohet mundësia e “skenarit më të keq”. Shumë rajone në botë po ndjejnë efektet e ndryshimit të klimës, për këtë mbizotëron konsens tek studjuesit e klimës. Ata janë të bindur se mbetet vetëm një dritare e vogël kohore, maksimumi prej disa dhjetëvjeçarësh, për të bërë kthesën dhe për të ndërprerë transformimin e klimës. Por me zbulimet e tyre ata nuk kanë për t’i bindur dot skeptikët e ngrohjes globale. Sepse edhe ata mendojnë se kanë të drejtë dhe se kanë arsye për të besuar të kundërtën. Megjithatë skeptikët e klimës deri tani nuk kanë dhënë prova shkencore, për të vërtetuar teoritë e tyre.