Pse nuk e festoj Vitin e Ri?

Çfarë simbolizon dita 1 Janar e çdo viti? Lutfi Dervishi sjell të paktën 10 arsye se përse ajo është një ditë më se e zakonshme që është e veshur me klishe.
1. Ditë e parashikueshme!
Nëse ka një ditë që është e parashikueshme deri në bezdi është Viti i Ri! Jemi marrë vesh që do të jetë gjithnjë më 1 janar. Trafiku në ditët para ardhjes së tij rëndohet, çmimet rriten dhe njerëzit vrapojnë me trasta në duar a thua se dyqanet do të qëndrojnë mbyllur për 1 muaj!
2. Urimet standarde
Dikur ishin kartolinat, më pas erdhën sms-të dhe tani është radha e emal-it, whatsapp, viber, kur gëlojnë urimet standarde: Ju uroj… Ankthi më i madh është edhe se kush dërgon urimin e parë pas orës 12 të natës, kush merr/jep përqafimin e parë etj etj.
3. Dollitë
Është një arsye më shumë për të rrokullisur ndonjë gotë më shumë dhe për të rritur shanset që mjekët dezhurnë në QSUT të mos rrinë pa punë! Është dita që pimë që të harrojmë, por nuk harrojmë që të pimë! Pimë për shëndetin e të tjerëve duke dëmtuar tonin. Është dita kur teprohet me ushqimin me mendimin se gabimin do ta ndreqësh duke shkuar 2 muaj në palestër.
4. Zotime që nuk mbahen
Është dita që na paralizon për të marrë vendime… Do ta bëjmë pas Vitit të Ri. Për shembull do të le cigaren, do të mësoj, do të lexoj, do të nis biznes, do të…. Është dita ku 95% e duhanxhinjëve marrin vendimin solemn për të lënë cigaren dhe 100 % e tyre në datë dy nxitojnë nëpër shkallë e ashensor për të blerë paketa cigaresh apo për të mbledhur cigaret që kanë hedhur nga ballkoni!
Me një fjalë dita kur qytetarët i marrin një kopetencë të rëndësishme qeverisë: premtimet e pambajtura!
5. Fishekzjarret
Në shumicën e vendeve ku festohet Viti i Ri, janë autoritetet lokale që organizojnë spektaklin me fishekzjarre. Këtu secili e konsideron veten autoritet të lartë dhe merret vetë me fishkezjarret, pa përjashtuar festën me fishekë kallashnikovi.
6. Kronikat televizive
Më datë 1 janar është dita që shihen të njëjtat lajme prej vitesh: Kronikë nga marterniteti me beben e parë që ka lindur, me urimin e krerëve të shtetit, me kronika nga spitali për të plagosurit nga festimet, me festat në sheshet e qyteteve ku tymi dhe zhurma e fishekzjarreve janë në plan të parë, kronika nga mbërritja e vitit të Ri në botë. Kronikë me trupat shqiptare në Afganistan/Irak…. Parashikimet: Viti më i nxehtë/i ftohtë i 100 viteve të fundit, sfidat e politikës për 2016 (dekriminalizimi dhe reforma në drejtësi)…. etj.
7. Pritshmëri të gabuara
Është një ditë që duket sikur 364 ditë të tjera, kemi qenë aq shumë të ngarkuar me punë sa duhet kjo ditë për të uruar njëri-tjetrin, për të reflektuar, për të marrë zotime, vit që e ngarkojmë veten me pritshmëri të larta dhe që përfundon me zhgënjim të madh.
8. Nuk është Vit i Ri
Problemet mbeten po ato, premtimet po ato dhe ne po ato… vetëm se një vit më të rritur/ vjetër.
9. Plaku i Vitit të Ri nuk ekziston
Në fakt ekziston për fëmijët që presin orën 12:00 për të marrë dhuratat e Vitit të Ri. Mirë është që fëmijët të mos torturohen dhe dhuratat t’u jepen gjatë mbrëmjes.
10. Po nëse nuk e pret Vitin e Ri?
Vitin që vjen shkurti ka 29 ditë. Një ditë më tepër. Kjo ditë mund të përdoret për reflektim. Pyetja është çfarë u ndodh njerëzve që nuk presin orën 00:00 për të pritur ardhjen e Vitit të Ri. Një studim i fundit thotë se janë ata që e nisin vitin e Ri më mirë nga të gjithë: me energji dhe bindje se do të jetë një vit i mbarë… edhe për faktin se kanë fjetur dhe ëndërruar në kohën që të tjerë kanë pirë, kanë ngrënë, kanë parë televizor, kanë pritur me ankth se kush do të jetë urimi parë që do të marrin kur akrepat e orës shënojnë 00:00!
Ndoshta gjithë progresi ekonomik i Kinës duhet parë edhe tek fakti që nuk e festojnë vitin e Ri. 1 Janari për ta është një ditë e zakonshme pune!
Urimi im për Vitin e Ri: Gëzuar… kush nuk e feston!

Lutfi Dervishi
Ikub.al

Artikulli paraprakUrime festat…Bekir Halimi: Më fal për cilat festa e ke fjalën?
Artikulli vijuesReis Ulema Sulejman efendi Rexhepi mbajti një fjalë përshëndetëse në Prishtinë