Pasi kishte vendosur të mbulohet Ilahije Asani e kishte humbër punën e saj. Pas kësaj, asaj i lindi ideja që të hapë një shitore të veshjeve hallall.
Para një viti, gjithçka dukej e shkatërruar, deklaron 35-vjeçarja Ilahije, duke u shëtitur nëpër shitoren e saj. “Unë dhe bashkëshorti im renovuam gjithçka”. Të klasifikuara sipas ngjyrave, copat e tekstilit janë të vendosura me kujdes nëpër rafte, ndërsa rrobe të tjera janë të varura dhe të radhitura si është më së miri. Shitorja e rrobave afër Europaplatz në Bernë të Zvicrës, nuk është e zakonshme: Këtu, pronarja e shitores Asani, që nga hapja në muajin nëntor të vitit të kaluar, shet rrobe të veshjeve sipas rregullave të Islamit. “Është shitorja e parë e këtij lloji në Bernë”.
“Salam aleikum”, thotë një plakë e shtyrë në moshë, e cila e viziton lokalin. “Aleikum salam”, ia kthen Ilahije Asani. Me këtë rast, ajo flet në gjuhë gjermane me klienten. Pasi e përcjellë plakën, ajo përsëri ia fillon në dialektin e Bernës. “Kjo që flas në gjuhën gjermane i befason shumicën e njerëzve”. Asani jeton kohë të gjatë në Zvicër dhe shumica mendojnë se ajo nuk e njehë gjuhën gjermane, pasi ia shohin shaminë në kokë.
Për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike, që në moshën dyvjeçare, familja e saj kishte ardhur nga Maqedonia për në Zvicër. Lënia e vendlindjes nuk kishte ndikuar që ajo ta harrojë gjuhën e nënës dhe religjionin. “Jam shumë e lidhur me Maqedoninë“, deklaron ajo për “Der Bund“, transmeton Shtegu.com.
Familja e saj atje ka një banesë personale për t`i kaluar pushimet e verës në vendlindje. Familja e saj dëshiron të qëndrojë edhe më tej në Zvicër. “Tre fëmijët e mi dëshirojnë të kryejnë këtu studimet, pasi në Zvicër ka më tepër kushte dhe gjithçka është më e sigurtë“, thotë Asani.
Ilahije Asani fletë shpejtë dhe ka shumë për të thënë. Për problemet e një gruaje e cila mban një shami në kokë në Bernë. Është një problem dhe armiqësi e përditshme: “Një herë u ula në autobus afër një zonje, e cila menjëherë u ngritë dhe u zhvendos diku tjetër”. Asaj gjithnjë i ishte thënë se shamia nuk i përshtatet Zvicrës dhe kulturës lokale. “Por, për tu integruar këtu, do të thotë të njohësh gjuhën dhe t`i përcellësh rregullat. Rrobat nuk kanë të bëjnë asgjë“, vazhdon Asani në mënyrë decidive. “Të gjithë mund të vishen si të duan”. Prandaj, ajo nuk e ka problem se si vishen gratë e tjera. “Myslimane apo jo: Gjatë dimrit të gjithë vishemi pothuajse njëjtë, me veshjet tona të gjata”.
Shaminë ka vendosur ta mbajë tashmë disa vite. “Gjatë Ramazanit u thellova shumë në leximin e Kuranit dhe vendosa që të mbajë shaminë”. Shamia e cila quhet hixhab, i jep asaj një mbrojtje. “Bukurinë e saj, gruaja duhet ta tregojë vetëm në shtëpi”. Aty nuk mbahet velli dhe manteli i gjatë. Po që se një grua mban veshjet islame e detyruar nga prindërit, kjo nuk është gjë e mirë. “Por, unë kam vendosur personalisht dhe e mbaj me krenari”. Shamia nuk përjashton mundësinë e punësimit dhe edukimit. Asani e vlerëson si absurd rastin e një nxënëse nga Thuni, e cila për shkak të mbajtjes së shamisë u përjashtua nga mësimi. “Më erdhi shumë keq për vajzën”.
“Njoh shumë gra të cilat dyshojnë se për shkak të mbajtjes së shamisë nuk mund të gjejnë punë”. Personalisht Asani, në një shtëpi përkujdesjeje në të cilën kishte punuar më parë, është dashur të vendosë në mes të punës dhe shamisë. “Ata më thanë se po i frikësoj pleqtë e shtëpisë”. Prandaj ajo vendosi që të përcaktohet për shaminë. Pasi u pushua nga puna nga shtëpia për përkujdesje, asaj i lindi ideja për të hapur një shitore me rrobë të veshjeve hallall, që i veshin femrat myslimane.