Hulumtimi i kryer në universitetin Queen Mary of London (QMUL) zbuloi se një rregullim i vogël në gjatësinë e “qerpikëve” primarë, projeksione të vogla në formë të qimeve që gjenden në shumicën e qelizave, e penguan prodhimin e qelizave yndyrore nga qelizat embrionale të njeriut të marra nga palca kurrizore e të rriturve.
Pjesa e procesit përmes së cilës kaloritë shndërrohen në yndyrë përfshin adipogjenezën, diferencimin e qelizave burimore në qeliza yndyrore. Hulumtuesit kanë treguar se gjatë këtij procesi të adipogjenezës, gjatësia e “qerpikëve” primarë rritet në ndërlidhje me lëvizjen e proteinave specifike mbi “qerpikë”, transmeton Koha.net. Për më tepër, duke e kufizuar gjenetikisht këtë zgjatje të “qerpikut” në qelizat burimore, hulumtuesit ishin në gjendje ta ndalonin formimin e qelizave të reja yndyrore.
Hulumtimet e fundit kanë konstatuar se shumë sëmundje, duke përfshirë sëmundjen e veshkave, verbërinë, problemet me eshtra dhe obesitetin, mund të shkaktohen nga defektet në “qerpikun” primar.
Melis Dalbay, bashkautore e hulumtimit nga Shkolla e Inxhinierisë dhe e Shkencave Materiale në QMUL, tha: “Është hera e parë që është treguar se ndryshimet delikate në strukturën e “qerpikut” primar mund të ndikojnë në diferencimin e qelizave burimore në yndyrë. Meqë gjatësia e “qerpikut” primar mund të ndikohet nga faktorë të ndryshëm, duke përfshirë forcat farmaceutike, inflamative dhe mekanike, ky studim ofron qasje të re në rregullimin e formimit të qelizave yndyrore dhe obesitetit”.
Profesori Martin Knight, bioinxhinier dhe autor kryesor i hulumtimit, theksoi: “Ky hulumtim tregon për një lloj të ri të trajtimit të njohur si ‘terapia-qerpik’ ku manipulimi i qerpikut primar mund të përdoret në të ardhmen për ta trajtuar një gamë në rritje të çrregullimeve përfshirë obesitetin, kancerin, inflamacionin dhe artritin”.