Çelo Hoxha
“E shtrenjta nëna ime, i adhuruari im vëlla, shumë i dashur baba, unë do të vdes!” Kështu nis letra e fundit një adoleshenti francez, drejtuar familjes në vigjilje të ekzekutimit të tij nga nazistët, 22 tetor 1941. Autori i saj, Guy Moquet (Gi Moket) është një ikonë e të majtës franceze si simbol i luftës kundër nazimit. Përmbajtja e letrës e kishte prekur aq shumë një politikan të djathtë, saqë kur ai u bë president në 2007, dekreti i parë që firmosi ishte që letra të lexohej ditën e parë të shkollës në të gjithë Francën. Ky vendim i Nicolas Sarkozy u kundërshtua nga shumë historianë dhe mësues të historisë. Një pjesë e konsideruan veprimin e presidentit si përdorim të historisë për qëllime politike, një pjesë e kundërshtuan sepse, sipas tyre, Guy Moquet nuk kishte qenë anëtar i qëndresës franceze kundër nazizmit. Ata argumentonin se adoleshenti, djali i një komunisti, u arrestua duke shpërndarë trakte komuniste. Sipas tyre, në kohën e arrestimi të Moquet (tetor 1940) komunistët ishin pro pushtimit nazist të Francës, për shkak të marrëveshjes së Moskës me Berlinin, pakti Ribentrop-Molotov, gusht 1939. Arsyeja e ekzekutimit të Guy Moquet është kjo: tre komunistët në Nantë vranë një oficer gjerman, komanda gjermane urdhëroi ekzekutimin e 50 të burgosurve në shenjë hakmarrjeje. Sipas historianëve, komunistët iu bashkuan rezistencës kundër nazizmit në pranverë të vitit 1941, koha kur ushtria gjermane nisi sulmin mbi Bashkimin Sovjetik. Presidenti francez u detyrua të hiqte dorë nga dekreti për leximin e detyruar të letrës.
Një ikonë e të majtës shqiptare për luftës ka shumë ngjashmëri me historinë e Guy Moquet, me përjashtim të faktit që ai nuk ishte i burgosur, nuk shkroi një letër lamtumire dhe nuk u vra nga nazistët, por karabinieria, sepse Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia fashiste. Edhe miti i Qemal Stafës është ngritur me elementë jashtë kontekstit të kohës. Komunistët shqiptarë, ashtu si komunistët francezë, deri në qershor 1941 ishin pro pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, që largoi nga froni “satrapin Zog”. Në këtë periudhë Qemal Stafa shkoi të studionte drejtësi në Firence, Itali. Ai u vendos nën vëzhgimin e karabinierisë jo si antifashist, por si komunist. Në fillim të 1939, ai ishte dënuar me internim nga gjykata, për përhapje të ideve komuniste, veprimtari e ndaluar me ligj. Pas prishjes së paktit Ribentrop-Molotov, qershor 1941, komunistët filluan veprimtarinë e tyre kundër fashizmit. Qoftë si komunist, qoftë si antifashist, motivi i veprimtarisë së Qemal Stafës nuk ishte dashuria për atdheun, siç e prezantoi për gjysmë shekulli propaganda e diktaturës.
Miti i Qemal Stafës filloi të ngrihet pas luftës, kur komunistët rrëmbyen pushtetin në Shqipëri. Ai u propagandua gjithmonë si pjesëmarrës në të ashtuquajturën luftë nacional-çlirimtare, por nuk u përmend kurrë një betejë ku ai mund të kishte luftuar, ose një formacion ushtarak pjesë e të cilës kishte qenë. Veç kësaj, në historinë e letërsisë së “viteve 30”, ai ishte një nga shkrimtarët revolucionarë të saj. Edhe ky një ekzagjerim.
Në të gjallë, Qemal Stafa botoi vetëm dy skica letrare me nënshkrimin e tij. Të parën e botoi në moshën 14 vjeçare, në një revistë për fëmijë, kurse të dytën, në 1939, në gazetën zyrtare të Partisë Fashiste Shqiptare. Krijimet e tjera që i vishen atij janë shumë të diskutueshme për autorësinë dhe kanë nevojë për ekzaminim shkencor.
Qemal Stafa shkruan ne gazetat fashisteNë 1962 u botua dhe një përmbledhje me shkrime të tij, të botuara ose jo më herët. Pseudonimet ose inicialet e shkrimeve të botuara në të gjallë të tij, janë të dyshimta. Megjithatë, edhe një nga shkrimet që mund të konsiderohet i tij pa kundërshtime është ribotuar disa herë me qëllime manipulative. Skica “Nanë” u botua për herë të parë në revistën Vatra e Rinisë (10 shkurt 1935), një revistë për fëmijë. Kjo skicë është një shfaqje emocionale e imazhit të një 14-vjeçari për nënën, i ndërtuar me elementë të përgjithshëm: lidhja e ngushtë e fëmijës me fjalën nënë, nëna si njeriu që i dhuron jetën fëmijës, që i tregon sendet e para, që i mëson dhe fjalën atdhe dhe e ushqen me dashuri për të, që i kushton gjithë dashurinë, kujdesin dhe jetën fëmijës së saj. Shkurt: sipas Qemalit, nëna është një person që fal gëzim dhe thotë vetëm fjalë të ëmbla. “Po pse? Pse ajo asht nana.”
Fjalia parardhëse, në thonjëza, është fjalia e fundit në botimin e parë të skicës. Më vonë kjo skicë është ribotuar ose me shtesa, ose e cunguar. Në gazetën Zëri i Rinisë, 5 maj 1956, skica “Nanë” është botuar me një paragraf shtesë. Fjalia e fundit është hequr dhe është shtuar kjo: “Kurrkush nuk mundet me ja xanë vendin. Sikurse nata së cilës i mungon hana, asht e mbështjellun në terrin ma të mndershmin, njashtu asht fmija qi nuk e ka nanën. Asht njeriu ma fatëkeqi në botë. Por nji gja e vetme mund ta ngushëllojë: edhe pse nana i ka vdekur, prap se prap i rri afër, e don, dhe e drejton përherë kah veprat e mira…” Edhe datimi në fund është deformuar: Shkodër, me Tetuer 1933, Qemal H. Stafa. Në origjinal, ai ka këtë formë: Shkodrë, Qemal H. Stafa.
Në gazetën Drita, 30 prill 1961, kjo skicë është botuar e plotë, pas asnjë devijim. Më vonë, ajo është ribotuar në një përmbledhje me shkrime të konsideruara të Qemal Stafës, “Qortimet e vjeshtës”, dhe në të dyja botimet e saj -1962 dhe 1975 – është lënë jashtë gjysma e skicës. Përmbledhja, e përgatitur nga Nasho Jorgaqi, përfundon me këtë fjalë: “Nana na mësoi me thanun Atdhe, e me e dashtun me gjithë zemër…”. Me këtë shkurtim të qëllimshëm, redaktori ka dashur ta përcjellë autorin e skicës si një njeri të shqetësuar për atdheun që në moshën 14 vjeçare, dhe vdekja e tij nga karabinieria, e plotëson mitin heroik të tij. Me këtë deformim të lehtë në nisje, miti i Qemal Stafës mori dhenë. Në 1966 në Tiranë u krijua një këngë kushtuar atij: “Trim i fortë me yll në ballë”. Në 1967, fshati Plasë i Korçës i ngriti këngën “Po më pesë maj më dyzet e dy”. Në 1969, në Tiranë, u krijua kënga “Luftë e madhe asaj dite o Qemal”. Në 1970, Dukati i Vlorës i kushtoi këngën “Pesë maj u vra Qemali”. Në 1977, po në Tiranë u krijua kënga “Qemal Stafa”. Po atë vit, Kutallia e Beratit krijoi “Këngë për Qemal Stafën”. Një këngë me titullin e Kutallisë u ngrit dhe në Tiranë, një vit më vonë. Në 1979, Delvina krijoi këngën “Erdh Qemali në Delvinë”. Në 1980, një këngë e Vranishtit të Korçës titullohej: “Përmes flakës ra Qemali”. Po atë vit, Tirana krijoi këgën “Qemal Stafa”, ndërsa Janjari i Sarandës këngën “Krenari për mëmëdhenë”.
Ndryshe nga Franca, që përmenda në nisje, në Shqipëri ca heronj të së majtës janë ende të paprekshëm, pavarësisht se janë ndërtuar mbi gënjeshtra. Deformimi ka shkuar aq larg sa mua më duket se shoqëria shqiptare ka frikë nga e vërteta.
Postbllok.com