Qëndrimi i “ehli sunetit” ndaj arsyes logjike

Hoxhë Ismail Bardhoshi

Qëndrimi i “ehli sunetit” ndaj arsyes logjike

Do të përmendim disa pika, të përmbledhura nga shkrimet e ibnu Tejmijes në këtë fushë, të cilat e sqarojnë këtë qëndrim:
– Njeriu me mendjen e tij ka aftësi t’i kuptojë e t’i njohë gjërat, por bazuar në arsyen logjike, ai mund t’i njohë e t’i perceptojë gjërat (që kanë të bëjnë me besimin dhe rregullat e fesë) në mënyrë të përgjithshme dhe jo në mënyrë të detajuar.
– Argumentet fetare kanë përparësi mbi konkluzionet logjike, për arsye se Sheriati është i pagabueshëm, ndërsa konkluzionet logjike mund të jenë të gabuara. Kjo sepse arsyet logjike janë produkt i mendjes së njeriut, i cili gabimin e ka në natyrën e tij, kurse burimi i argumenteve të Sheriatit është hyjnor.
– Gjykimet logjike që janë të sakta, të qarta e të padiskutueshme, nuk mund të bien ndesh me Sheriatin.
– Arsyet logjike janë të sakta vetëm kur përputhen me Sheriatin, ndërsa kur e kundërshtojnë atë, janë të parregullta e të pavlefshme. Prandaj standardet dhe kriteret logjike që përputhen me Sheriatin janë të sakta, kurse ato që e kundërshtojnë atë janë të pavlefshme.
– Në rast se nga vështrimi sipërfaqësor i një teksti (citati) do të vërehet se ai bie ndesh me një argument të saktë, të qartë e të prerë logjik, kjo padyshim ndodh ose për shkak të një dileme që duhet zbuluar e qartësuar, ose për shkak të interpretimit të gabuar të tekstit, si p.sh. kur fjala ka dy ose më shumë variante që mund të interpretohet dhe njëri prej tyre bie ndesh me arsyen e qartë e të prerë logjike. Kjo gjë tregon se ai variant nuk mund të jetë kuptimi i saj, për shkak se hadithi që bie ndesh me arsyen logjike të saktë, është i dobët ose i trilluar si p.sh.: “Allahu i Lartësuar zbret mbrëmjen e DSitës së Arafatit mbi një devé dhe përqafon kalorësit e ata që ecin në këmbë.” Kjo padyshim është gënjeshtër.
– Ligjet dhe rregullat, mund të njihen në mënyrë të detajuar vetëm nëpërmjet Sheriatit, kështu që ato janë prej veçorive të tij.
– Në mënyrë të përgjithshme, njeriu me mendjen e tij e dallon atë që është e shëmtuar dhe e keqe dhe e dallon atë që është e bukur dhe e mirë, qoftë edhe pa i arritur argumenti fetar. Mirëpo njeriu nuk është i obliguar për asgjë derisa t’i arrijë argumenti fetar, dhe si rrjedhojë, shpërblimi dhe ndëshkimi për veprat e tij varet po nga arritja e argumentit fetar.
– Sheriati mund të sjellë gjëra që e hutojnë mendjen, si p.sh. ndëshkimi i shpirtit së bashku me trupin në varr, por jo gjëra që janë të paarsyeshme e të papranueshme logjikisht.
– Asgjë s’mund t’i bëhet detyrë Allahut përmes asaj që e gjykon mendja e njeriut, sepse Allahu siç ka lajmëruar për veten e tij është “Veprues i asaj që dëshiron”. Por ai mund t’i bëjë detyrë Vetes së Tij atë që dëshiron dhe mund ta ndalojë Veten e Tij nga ajo që dëshiron, për t’u bërë mirësi robërve të tij, si p.sh. fjala e Profetit (salallahu alejhi ue selem) se Allahu ka thënë në hadith kudsi: “Unë ia kam ndaluar padrejtësinë vetes time”, si dhe fjala e tij: “E drejta e robërve ndaj Allahut është që të mos e ndëshkojë atë që nuk i bën shok atij.”
– Logjika është burim (referencë) dytësor, e varur nga argumentet fetare dhe e nështruar ndaj tyre. Tekstet e Kur’anit dhe Sunetit janë të mjaftueshme si burime fetare dhe e bëjnë të panevojshëm të bazuarit në konkluzionin logjik, por nuk e pengojnë pranimin e tij kur është i saktë.
Çdo mendim që bie në kundërshtim me këtë që sqaruam lidhur me logjikën, është i pasaktë dhe në kundërshtim me qëndrimin e “ehli sunetit”.

Artikulli paraprakGrada dhe vlera e mendjes në Islam
Artikulli vijuesNjë lajm i mirë për ty