Qeriqi: Në listat e veteranëve ka edhe njerëz të UDB-së

Xhevdet Qeriqi, i cili është edhe kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e Luftëtarëve të UÇK-së, ka thënë se në listat e veteranëve të UÇK-së, ka emra edhe të atyre që kanë qenë anëtarë të UDB-së.
Qeriqi, në një intervistë për Klan Kosova, tha se në këto lista që tashmë kanë nisur të publikohen nga Komisioni qeveritar, janë qindra ose mijëra persona që nuk kanë qenë fare në luftë.
 
“Kam pasur biseda me komandant të zonave dhe me zinxhirin komandues, dhe ky proces ka mund të kryhet për 60 ditë. Secili prej komandantëve ka pasur listat e ushtarëve të tyre dhe e dimë që tashmë janë fryrë listat dhe brenda këtyre listave ka njerëz që nuk kanë qenë fare në luftë. Ka edhe njerëz që kanë qenë të angazhuar edhe në UDB. Është numri i madh i atyre që nuk kanë qenë në luftë dhe janë pjesë e listave. Janë qindra, e duke e parë se si po shkon procesi i konfigurimit ky numër do të shkojë deri në mijëra”, ka thënë Qeriqi.
 
Ai ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë që të ndërhyjnë në këtë proces dhe të shohin problemet brenda, sepse sipas tij po dëmtohen veteranët por edhe buxheti i Kosovës.
 
Kur ka folur për dëmtimin e buxhetit, Qeriqi mbështetët në krijimin e Komisionit për Verifikim, i cili sipas tij e ka zvarritur këtë proces me qëllim vetëm për të marrë rroga, transmeton KP.
 
Në këtë intervistë Qeriqi ka folur edhe për protestën e sotme të organizuar nga vet ai dhe Këshilli për Mbrojtjen e Luftëtarëve të UÇK-së. Ai, tha se kjo protestë do të jetë e qetë dhe pret pjesëmarrës të shumtë.
 
Qeriqi tha se ky është edhe paralajmërimi i fundit për një protestë të qetë, ndryshe nëse nuk publikohen të gjitha listat për protestën e ardhshme Qeriqi thotë se nuk do mbajë përgjegjësi.
 
“Ne jemi munduar disa herë që të zgjidhim problemin e veteraneve të luftës përmes dialogut por asnjëherë nuk kemi arritur. Kemi marrë vendim si kryesi e Këshillit që sot duke filluar prej orës 12:00 që të protestojmë. Në protestën e ardhshme situata do eskaloj. Ka shumë veteranë që janë në gjendje të rëndë dhe me trauma. Ka shumë prej atyre që kanë bërë vetëvrasje dhe shumë prej tyre që tashmë kanë kaluar në Hungari”, tha Qeriqi.
Artikulli paraprakXhandarë e kriminelë të Serbisë, bashkë në Mitrovicë
Artikulli vijues‘Vrasësi’ i Tom Doshit, i sëmurë mendor me certifikatë