Qeveria dorëzon përgjigjet për Studimin e Fizibilitetit

Qeveria e Kosovës ka dorëzuar përgjigjet në pyetësorin për përgatitjen e Studimit të Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimi.

Përgjigjet në 444 pyetje, në 105 fusha të ndryshme janë përgatitur brenda 30 ditëve, nga 7 maj deri më 8 qershor.

Dokumenti final përbëhet nga 1.942 faqe, nga të cilat 504 janë përgjigjet në pyetje specifike dhe 1.483 faqe anekse.

Në njoftimin e Ministrisë së Integrimit, thuhet se përgjigjet janë koordinuar nga Ministria e Integrimit Evropian.

Të gjitha institucionet shtetërore, të nivelit qendror dhe lokal, kanë kontribuar në përgatitjen e përgjigjeve, të cilat thuhet se prezantojnë situatën faktike dhe të saktë të secilit sektor të pyetësorit.

“Më 8 qershor, Qeveria ka dorëzuar në Komision Evropian përgjigjet në pyetësorin për Studimin e Fizibilitetit. Kontributi i Kosovës për përgatitjen e Studimit të Fizibilitetit përbëhet nga përgjigjet në pyetësorin dhe 80 anekse relevante”, thuhet në njoftim.

Hapi i radhës drejt finalizimit të Studimit të Fizibilitetit , sipas njoftimit, do të jetë misioni fakt-mbledhës i cili do të qëndrojë në Kosovë nga 18 deri 22 qershor.

Sipas Ministrisë së Integrimit, misioni do të përbëhet nga zyrtarë të lartë dhe ekspertë të Komisionit Evropian.

Qëllimi kryesor i misionit do të jetë mbledhja e fakteve rreth gjendjes në vend në raport me mundësinë e zhvillimit të mëtejmë të procesit të Stabilizim Asociimit, gjegjësisht të negocimit dhe implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimi.

Gjatë takimit të Këshillit të Bashkimit Evropian të 28 shkurtit 2012, Këshilli ka marr parasysh mendimin e Komisionit Evropian për fillimin e Studimit të Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës.kohaislame

Artikulli paraprakPAKISTANI HEDH POSHTË AKUZAT E AMERIKANËVE
Artikulli vijuesIntel paketon Core i5 në një PC 4 inç