Qeveria e Serbisë nuk shqetësohet nëse shtetasit e Kosovës udhëtojnë pa viza nëpër Evropë, mirëpo brengosëse për to është pajisja me pasaporta të serbëve të cilët jetojnë në Republikën e Kosovës.
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Aleksandër Vuçiqit, në një përgjigje për “Indeksonline”, thotë se kushti kryesor për heqjen e vizave për Kosovën është formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Institucioni të cilin e drejton Marko Gjuriq shprehet se zyrtarët evropian dhe amerikan, kanë nënvizuar qartësisht se themelimi i Bashkësisë së komunave serbe është njëri prej kushteve për marrjen e liberalizimit të vizave.
“Pas kësaj, Beogradi pritet nga BE të merr një zgjidhje përmes së cilës serbët në ‘Kosovë dhe Metohi’ me pasaportat serbe nuk do të jenë të përjashtuar nga procesi i liberalizimit të vizave dhe të klasifikuar si qytetarë të klasit të dytë. Serbët nga ‘Kosova dhe Metohia’ nuk duhet të vënë në gjendje në të cilën mund të jenë të shantazhuar, ose të nënshtruar presionit t’i marrin pasaportat e Kosovës së vetëshpallur në mënyrë që të mund të udhëtojnë pa viza”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Ndërsa Qeveria e Serbisë, sipas kësaj Zyre, thotë se nëse Unioni Evropian ka marrë parimin gjeografik, dhe pastaj e kishte kufizuar liberalizimin e vizave në rajonin e Serbisë qendrore dhe veriore, duke përjashtuar Kosovën, dhe tani kur dëshiron ta zgjerojë në Kosovë, duhet të vlen parimi mbi të cilit liberalizimi i vizave referohet në territorin dhe njerëzit, dhe jo në llojin e dokumentit. “Çdo zgjidhje tjetër do të ishte diskriminimi i rëndë”, përfundon përgjigja e Zyres për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.