Qosja: Shkëmbimi i territoreve me Serbinë shpëton Kosovën nga Asociacioni

Rexhep Qosja ka shpjeguar idenë e tij për shkëmbim territoresh me Serbinë duke thënë se këtë po e bën për të shpëtuar Kosovën nga Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe. Ka thënë se shkëmbimi i territoreve me Serbinë është ide për të mos lejuar shtete të vogla të Serbisë brenda Kosovës.

“Me dallim prej meje që do të doja ta shpëtoja Kosovën prej shtetit të quajtur Bashkësi e Komunave Serbe, domethënë prej shteteve të vogla serbe nëpër Kosovë, dhe t’i jepet Serbisë një pjesë e vogël e Kosovës Veriore e banuar me serbë…”, ka shpjeguar Qosja, në një shkrim postuar në FB.

Reagimi i plotë:

KRITIKËVE TË PROPOZIMIT TIM

Kam këtë përgjigje për ju që po e kritikoni aq emocionalisht propozimin tim të botuar disa herë, edhe para 30 vjetësh, për shkëmbimin e Mitrovicës Veriore të banuar me serbë me Luginën e Preshevës – me Preshevën, Bujanocin, Medvegjën e fshatrat përreth të banuara me shqiptarë.

Me dallim prej meje që do të doja ta shpëtoja Kosovën prej shtetit të quajtur Bashkësi e Komunave Serbe, domethënë prej shteteve të vogla serbe nëpër Kosovë, dhe t’i jepet Serbisë një pjesë e vogël e Kosovës Veriore e banuar me serbë dhe e sunduar edhe tani prej Serbisë, të cilëve do të mund t’u bashkoheshin edhe serbët e viseve të tjera të Kosovës, e t’i jepeshin Kosovës Presheva, Bujanoci e Medvegja me fshatrat përreth të banuara me shqiptarë, ju në realitet do t’ia dhuroni Serbisë të dyja: Mitrovicën Veriore, e cila që tani po bëhet qendër administrative, ekonomike, arsimore e kulturore serbe nën sundimin e Serbisë dhe Luginën e Preshevës, e cila do të shpopullohet prej shqiptarëve e do të popullohet prej serbëve!

E këtillë, mjerisht, është e ardhmja e çështjes ende të pazgjidhur plotësisht shqiptaro-serbe, që na e dhurojnë mendjet që mendojnë vetëm sot për sot dhe që shohin vetëm deri te kthesa e parë: vetëm deri te muri i rrënuar buzë Ibrit dhe vetëm deri te treni i dekoruar i kthyer pas Beograd-Mitrovicë! Dhe të gatshëm – që të na pagëzoni kombi kosovar!

Nuk dua të mendoj që kjo politikë është e frymëzuar më parë prej propagandës së atyre që gëzojnë frytet e tregtisë së zezë të mafisë serbe dhe të mafisë shqiptare në Mitrovicën Veriore sesa të mendjepakësisë e të padijes.

Prishtinë, 22.01.2017

Artikulli paraprakVdes presidenti i klubit Gençlerbirliği, kishte prejardhje nga Kosova
Artikulli vijuesRaporti sekret i CIA’s: Serbët i frikesoheshin shtimit të shqiptarëve