Banorëve të Shkupit ju nevojiten 16 vite për blerjen e një banese. Përllogaritjet tregojnë se me pagë mesatare – që në Maqedoni arrin 380 euro, dhe me kushtin që një pagë të mos harxhohet për asgjë tjetër, përpos të kursehet për blerjen e banesës, mund të blihet një banesë prej 80-90 metra katrorë, shkruan gazeta Koha.
Matematika tregon se për t’u arritur kjo, duhet që paga mesatare – që në vit arrin 4560 euro, nevojiten 16 vite që për shumën prej 73 mijë euro, të blihet banesa me koston mesatare prej 800 euro metër katrori i hapësirës banesore.
Se një shumë kaq e madhe mesatare nevojitet për blerjen e një banese në kryeqendrën e Maqedonisë, tregojnë edhe analizat e uebfaqes “Numbeo”, faqe kjo që përllogarit raportet e çmimeve mesatare të banesave ndaj të ardhurave mesatare të disponueshme të familjeve, të shprehura si vite të ardhurash. “Numbeo” merr në konsideratë të ardhurat e disponueshme neto, një apartament mesatar prej 90 metrash katrorë dhe çmimin për metër katror si një mesatare e çmimit në qendër dhe në periferi të qytetit.
Sipas “Numbeo”, në Shkup nevojiten 15 vite dhe 6 muaj për zgjidhen e çështjes banesore. Nga ana tjetër, në vitet e fundit rritet orientimi i qytetarëve të Maqedonisë që të blejnë banesa me hyrjen në borxh nëpër banka. Çiftet me së paku dy paga solide në muaj vendosin që në vend të pagesës mujore të qerasë, të marrin kredi dhe të kenë kulmin e tyre nën kokë. Për të marrë kredi, krahas pagave të larta ose vendosjes së banesës në hipotekë, nevojitet edhe pjesëmarrja më e madhe në totalin e kredisë me qëllim që të ulet shuma që në fund duhet të kthehet si kredi së bashku me kamatat.
Përderisa një pjesë e madhe e banorëve të Evropës jetojnë me qira për shkak se nuk kanë mundësi të blejnë banesën e tyre, tek ne rritet nga viti në vit numri i qytetarëve që blejnë banesë me kredi në vend se tërë jetën të paguajnë qira dhe t’u shkojnë të hollat huq.
Analizat tregojnë se shuma më e shpeshtë që miratohet nga ana e bankave është afër 30 mijë euro, për të cilën duhet të keni të ardhura prej së paku 800 deri 900 euro për familje apo person.
Bile, edhe analizat e ndryshme tregojnë se shumica e banesave blihen me kredi. Këtë e tregon edhe gati trefishimi i kredive banesore prej 264 milionë euro në vitin 2010 në afër 630 milionë euro në muajin shtator të vitit 2017.
Nga shtetet e tjera të rajonit, qyteti më i shtrenjtë sipas fuqisë blerëse, është Beogradi, ku nevojiten 21.5 vite për blerjen e një banese. Në Tiranë, sipas indeksit të “Numbeo”, duhen 17.4 vite punë për të blerë një apartament. Në Podgoricë nevojiten 14.1 vite, në Sarajevë 12.9 vite , ndërsa në Sofje dhe Selanik – nga 9.1 vite për blerjen e banesës. Sipas analizave të “Numbeo”, në Shkup çmimet e banesave në mesatare lëvizin prej 800 deri 900 euro në periferi dhe prej 1000 deri 2000 euro për metër katror në qendër.
Në Tiranë, çmimet lëvizin prej 1200 deri 2000 euro dhe prej 450 deri 600 euro në periferi. Në Sarajevë çmimet lëvizin prej 1400 deri 1500 euro dhe prej 800 deri 900 euro, ndërsa në Podgoricë, çmimi i banesës në qendër paguhet prej 1500 deri 2500 euro në qendër dhe prej 1000 deri 1100 euro në periferi të kryeqytetit malazez. Çmimet mjaft të larta të patundshmërive ofrohen në Beograd, ku banesat në qendër paguhen prej 2000 deri 4000 euro për një metër katror, ndërsa në periferi prej 1000 deri 1600 euro. Nga metropolet e tjera botërore, në Paris nevojiten 16.8 vite, në Nju Jork ju duhen 12.7 vite, ndërsa në Cyrih ju nevojiten 10.1. vite për blerjen e një banese.