Rama-Mustafa: Partneriteti strategjik, rol themeltar për vijimësinë e faktorit shqiptar në rajon

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa sot ndodhet në Tiranë në kuadër të një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku do të ketë takime me drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar. Takimin e parë Mustafa e ka realizuar me homologun e tij, Edi Rama, raporton Anadolu Agency.
 
Të dy kryeministrat pas takimit mes delegacioneve, kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për mediat, ku kanë folur për disa çështje, si për zgjerimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive që është planifikuar të m,bahet më 23 mars në Shqipëri si dhe për sfidat që ka shteti i Kosovës.
 
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka shprehur që në fillim të fjalës së tij mirënjohjen për qeverinë e Kosovës për solidaritetin e treguar për përmbytjen. “Edhe publikisht përshëndes konsolidimin e  shtetit dhe fuqizimin  sovranitetit të Kosovës dhe shtrirjen  e autoritetit të shtetit në të gjithë territorit. Ndajmë së bashkë idenë së marrëdhëniet Shqipëri –Kosovë   janë të shkëlqyera dhe vëllazërore dhe partneriteti strategjik është një instrument themeltar që përcakton vijimësinë e faktorit shqiptar në rajon. Bashkëpunimi ekonomik është shenjë pozitive për krijimin e një zone ekonomike shqiptare në gjithë rajonin”- ka pohuar Rama në fjalën e tij gjatë konferencës për shtyp me homologun nga Kosova.
 
Rama ka deklaruar gjithashtu se kanë diskutuar me Mustafën edhe për ecurinë e mbledhjes së përbashkët dhe për objektivat e  reja për të ardhmen.  Sipas Ramës shqiptarët kanë nevojë për  Europën aq sa  ka nevojë Europa për shqiptarët. 
 
Ndërsa kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa  në fjalën e tij ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e Shqipërisë, ku sipas tij ka qenë një kontribut që Kosova të bëhet pjesë e politikave evropiane dhe botërore. “E konsiderojmë të rëndësishme marrëveshjen për partneritet strategjik me Shqipërinë. Kemi nevojë të punojmë bashkërisht në projektet ekonomike, do të bashkëpunojmë në projektet e përbashkëta në arsim, kulture, infrastrukturë, etj.  
 
Kujtojmë se kjo është vizita e parë e Isa Mustafës në Tiranë, pas marrjes së detyrës së kryeministrit të Kosovës dhe shoqërohej edhe nga zëvendës kryeministri dhe Ministri i Hashim Thaçi. Mustafa është takuar edhe me Presidentin Bujar Nishani dhe Kryetarin e Parlamentit Ilir Meta. Gjithashtu kjo vizitë vjen në prag të mbledhjes së përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës./AA
Artikulli paraprakLieberman në miting parazgjedhor: Iu duhen prerë kokat arabëve që janë kundërshtarë të Izraelit
Artikulli vijuesJaponi, pesë persona vriten nga një sulmues me thikë