Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ndodhet në Gjermani, duke folur në një takim të fondacionit “Friedrich Ebert” tha se ne e dëshirojmë Bashkimin Evropian, kur euroskepticizmi është rritur në Europë sepse e shohim integrimin evropian për Shqipërinë dhe Ballkanin, si instrument modernizues dhe forcë e paqes dhe stabilitetit në Ballkan.
“Ne nuk jemi duke rendur drejt anëtarësimit, por jemi gjithmonë e më shumë të dëshiruar për të mos humbur perspektivën evropiane, si i vetmi horizont në sytë e njerëzve tanë, sepse do të ishte tepër vonë, nëse forcat antieuropiane do të zinin rrënjë në rajon”, ka thënë ai.
Ai tha se nuk mund te jesh pjese e Bashkimit Europian nëse nuk je në gjendje të flasësh me fqinjin e të bashkëpunosh me të. Sipas kryeministrit, Bashkimi Europian e ka fuqinë për të mbajtur fort paqen dhe të parandalojë konfliktet.
Ai ka folur edhe për Kosovën, duke rikujtuar kohën kur qytetarët e saj udhëtonin pa viza në Gjermani, ndërsa aktualisht një gjë e tillë është e ndaluar për ta, njofton top channel.
“Dialogu mes Kosovës e Serbisë vazhdon. Serbia po negocion, ndërsa Kosova është i vetmi vend në të gjithë kontinentin, njerëzit e të cilit e kanë të ndaluar të lëvizin lirisht pa liberalizimin e regjimit të vizave. Njerëzit me të drejtë pyesin: Si ishte e mundur të shkonim në Gjermani pa viza, me pasaportë jugosllave, kur ishim nën diktaturë dhe tani që jemi një vend i pavarur nuk mund të dalim jashtë kufijve tanë?!”, tha Rama./