Rama duke iu referuar anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancë ka theksuar se anëtarësimi në NATO ka përcaktuar përfundimisht një të ardhme të re për popullin shqiptar për të ndërtuar prosperitetin.
Në seancën plenare të Sesionit të Pranverës së Asamblesë Parlamentare të NATO-s që përfundon punimet sot në Tiranë ka mbajtur një fjalim Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, homologu tij malazez, Milo Gjukanoviç, si dhe kryeparlamentari i Shqipërisë, Ilir Meta, raporton Anadolu Agency (AA).
Rama duke iu referuar anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancë ka theksuar se anëtarësimi në NATO ka përcaktuar përfundimisht një të ardhme të re për popullin shqiptar për të ndërtuar prosperitetin.
Duke iu referuar Kosovës, Rama u shpreh: “Integrimi i Kosovës është një domosdoshmëri, jo thjesht për Kosovën, jo vetëm për Ballkanin, por për të gjithë familjen euroatlantike. Udhëheqja politike dhe shoqëria do të mbajnë barrën kryesore në këtë proces jetik. Institucionalizimi i marrëdhënieve NATO-Kosovë, duhet parë si katalizator për të gjithë procesin integrues të rajonit. Përfshirja e plotë e Ballkanit në NATO duhet të jetë një investim strategjik kapital”, theksoi kryeministri i Shqipërisë.
Ndërsa nënshkrimin e protokollit të anëtarësimit me Malin e Zi ai e ka konsideruar një hap të rëndësishëm strategjik të Aleancës. “Jam krenar që Shqipëria e ka mbështetur Malin e Zi për integrimin në NATO. Anëtarësim i Malit të Zi në NATO e shndërron Detin Adriatik në një det të brendshëm të Aleancës. Kemi punuar që edhe Maqedonia të integrohet. Shqipëria është e interesuar që ky vend të jetë sa më demokratik dhe besojmë në potencialin e Maqedonisë”, u shpreh Rama.
Rama ka shkëmbyer edhe batuta me përfaqësuesit britanikë në lidhje me debatin për qëndrimin ose jo në Bashkimin Europin, ndërsa nuk kanë munguar edhe batutat me ish-kryeministrin e Shqipërisë, Pandeli Majko, ka Rama i është drejtuar se “uroj të realizojë një ëndërr tjetër që NATO të ndërtojë një bazë në Shqipëri”.
Ndërsa kreu i Kuvendit të Shqipërisë në fjalën e tij u shpreh se Shqipëria do të vazhdojë të mbetet një anëtare aktive e Aleancës për tu përballur me sfidat e sigurisë. Meta më tej në fjalën e tij u shpreh: “Arkitektura e sigurisë duhet të rregullohet gjithnjë e më mirë dhe me një strategji që përfshin sundimin e ligjit. Asambleja Parlamentare e NATO-s ka një rol kyç për të ruajtur dhe është platforma e shkëlqyer për të promovuar dialogun. Siguria sot në botë vihet shpesh në pikëpyetje dhe jemi në mes të një krize refugjatësh ku na ka bërë në muajt të fundit të shohim disa gjëra të dhimbshme. Ne kemi përgjegjësinë për të mbrojtur kufijtë, por edhe detyrimin të ofrojmë ndihmë për këto persona. Shqipëria do të kontribuojë sipas kapaciteteve modeste dhe nuk do të ndërtojmë mure.”.
Ndërkohë në seancën plenare një fjalim mbajti edhe kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ku ai ka pohuar se vendi i tij shikohet si faktor stabiliteti në Ballkan. “Me nënshkrimi i protokollit të aderimit Mali i Zi de fakto është bërë pjesë e NATO-s. Si një partner serioz Mali i Zi mbetet i përkushtuar për të përmbushur detyrimet që ka. Me angazhimin tonë aktiv në rajon, do të kontribuojmë për sigurinë në Mesdhe dhe më gjere, në një kohë kur bota përballet me sfida. Ftesa që iu dha Malit të Zi është një nga sukseset më të mëdha që ka arritur vendi në këtë dekadë dhe ky proces është i pandalshëm. Terrorizimi, DAESH-i, luftëtarët e huaj, aneksimi i Krimesë dhe kriza e refugjatëve na bëjnë të kuptojnë se askush nuk është i izoluar nga këto probleme ndërkombëtare”, u shpreh Gjukanoviç.
Alexander Vershbow, zv.sekretar i Përgjithshëm i NATO-s u shpreh se antëtarësimi në NATO do të ofrojë sigurinë afatgjatë të Malit të Zi dhe do të përforcojë pavarësinë e vendit. Sipas tij anëtarësimi në NATO ka një efekt transformues për vendet dhe kjo ndihmon themelet e progresit ekonomik. Ndërsa duke iu referuar krizës së refugjatëve, Vershbow u shpreh se NATO po luan një rol mbështetës. Ai ka folur edhe për disa çështje të tjera, si për krizën në Ukraninë, Smatin e ardhshëm të NATO-s në Varshavë, Rusinë, etj.
Michael R. Turner, president i Asamblesë Parlamentarë të NATO-s, u shpreh se Shqipëria i ka kapërcyer mundësitë e saj duke kontribuar në mbrojtjen e përbashkët. “Në Ballkanin Perëndimor ia kemi dalë ti japim fund dhunës, ku në vend të luftës kemi ofruar paqe dhe pajtim. Zgjerimi i NATO-s sjellë shumë përftime si për anëtarët e rinj ashtu edhe për anëtarët e vjetër. Ky zgjerim nuk kërcënon askënd”, theksoi Turner.
Në përfundim të këtij sesioni do të publikohet edhe deklarata “Mbi një axhendë të unifikuar për NATO-n në Samitin e Varshavës”.