Nëse SHBA-ja vazhdon me përkrahjen e pa rezervë të shqiptarëve, nëse BE-ja hesht edhe më tej ndaj projektit të “Shqipërisë së madhe”, kjo do të çonte te formimi i “Aleancës ortodokse” të Serbisë, Greqisë, Bulgarisë e Maqedonisë kundër shqiptarëve, e ndoshta do të shkaktohej edhe Lufta e Tretë Ballkanike.
Ky është përfundimi i raportit më të ri të CIA-s për gjendjen në rajon, në të cilin, sipas asaj që përcjell gazeta e Beogradit “Kurir”, administrata në Washington tërheq vërejtjen se, përkrahja e mëtejme e fuqishme për shqiptarët, do t’i shtynte sllavët të përqafonin Rusinë, transmeton “Koha.net”.
Informatorët në raportin e vet tërheqin vëmendjen se, është krejtësisht e mundshme që Serbia, Greqia, Bullgaria dhe Maqedonia të krijojnë aleancën ortodokse.
“Analistë amerikanë shkruajnë se shtetet ballkanike, territoret e të cilave janë të rrezikuar me projektin e ‘Shqipërisë së madhe’, nuk do të rrinë duarkryq e të shikojnë të qetë se si shqiptarët ua marrin territoret. Aq më tepër, ata janë të bindur se, në rast nevoje serbët, grekët, bullgarët dhe maqedonasit do t’i bashkojnë forcat në luftën kundër shqiptarëve. Në këtë rast, Ballkani do shndërrohej në një rajon sikur Lindja e Mesme e nuk është në interes të askujt, as të SHBA-së”,- thotë “Kurir”, e cila i referohet qarqeve të informuara diplomatike.
Kjo gazetë shton se, në Qeverinë e Serbisë askush nuk ka dashur t’i komentojë këto informata. Ndërsa ekspertët thonë se, është krejtësisht i mundur skenari i aleancës ortodokse e ajo do të jetë ferrë në sytë e Perëndimit.
Analisti Gjorgje Vukadinoviç, thotë se, është logjike reagimi ndaj përpjekjes për formimin e “Shqipërisë së madhe” dhe shton se tash e më shumë se dhjetë vjet, ekziston ideja për bashkimin e Ballkanit.