Raporti për drogat në vitin 2012

Intensifikohet globalizimi i heroinës dhe kanabisit. Produktet e ndaluara gjenden gjithnjë e më shumë në internet. Oferta është katërfishuar brenda një kohe shumë të shkurtër. Drogat janë bërë një e keqe globale.
“Substancat psikoaktive”, këtë term teknik ndoshta mund ta njohë pak kush me përjashtim të mjekëve dhe ekspertëve të drogave. Atyre u shkon menjëherë mendja te mjetet qetësuese dhe pastaj te shpërdorimi i drogave. Për Werner Sipp është e kundërta. Ai është i vetmi gjerman në Këshillin Ndërkombëtar të Kontrollit të Drogave (INCB), me seli në Vjenë. Së bashku me dymbëdhjetë kolegë nga e gjithë bota ai analizon rregullisht zhvillimin global të skenës legale dhe jolegale të drogës.
Të martën (05.03.2013) forumi paraqiti në disa qytete raportin vjetor 2012. Sipp përmblodhi rezultatet në Berlin. Gjetjet e tij janë alarmante: “Substancat psikoaktive janë në rritje në mbarë botën. Ajo, që në skenën e drogës dhe në media përmendet shpesh si “drogat sintektike”, “përbën kërcënim në rritje për shëndetin publik”, thekson Sipp. Në dallim me drogat e forta, si heroina, apo kokaina, ata nuk u nënshtrohen një kontrolli ndërkombëtar, por kanë efekte të ngjashme.

“Mbeturina të industrisë farmaceutike”
Duket si sheqer, por është tejet e rrezikshme, droga sintetike
Produktet e ndaluara mund të merren më shumë se kurrë më parë përmes internetit. Oferta është katërfishuar në një kohë shumë të shkurtër. “Ndërkohë ka mijëra prej tyre në treg, vetëm në Evropë pothuajse çdo javë shfaqet një medikament i ri”, tha Sipp në Berlin. # bbig # Eksperti i Këshillit ndërkombëtar të Kontrollit të drogave, i cili ka punuar më parë në ministrinë gjermane të Shëndetësisë, kërkon nga politika “strategji të efektshme parandaluese. “Me këtë Sipp ka parasysh për shembull, magazinimin, shpërndarjen dhe kontrollin e substancave të rrezikshme, që mund të jenë qetësuese për të sëmurët, por të cilat personat e shëndoshë i bëjnë të varur nga droga. Sipp e konsideron të nevojshëm sqarimin e opinionit, si dhe trajnimin e personelit mjekësor.
E ngarkuara e qeverisë gjermane për drogat, Mechtlid Dyckmans, i quajti drogat sintetike si “mbeturina të industrisë farmaceutike”. Prodhuesve dhe tregtarëve u duhet ndaluar marrja me to”, tha politikanja e partisë liberale, FDP. Legjislacioni i nevojshëm për këtë ekziston. “Por duhet menduar, nëse përdoruesve dhe të varurve nga droga duhet t’u vihet e njëjta masë”, tha Dyckmans. Varësia nga droga është një sëmundje, prandaj duhet të vlejë parimi “terapi në vend të dënimit.”
60.000 të vdekur në luftën e drogës në Meksikë
Shifra për dimensionin e përdorimit të drogës në botë Werner Sipp i Këshillit Ndërkombëtar të Kontrollit të Drogave nuk dha. Më konkret përfaqësuesi gjerman në forumin e Kombeve të Bashkuara (OKB) ishte në lidhje me prodhimin, konsumin dhe rrugët e transportit. “Amerika e Veriut vazhdon të mbetet tregu më i madh ilegal i drogës në botë dhe ka numrin më të madh të të vdekurve nga droga.
Sipas vlerësimeve të OKB-së pesë ndër 100 raste vdekjesh në grupmoshën ndërmjet 15 dhe 64 vjeç shkaktohen nga konsumi i drogës. Në Meksikën fqinje kohët e fundit janë vrarë rreth 60.000 njerëz në luftën e drogës, tha Sipp.

Ndarja e gjatë ndërmjet vendeve prodhuese dhe konsumuese të drogës, sipas vëzhguesve të Këshillit ndërkombëtar për Kontrollin e drogës, po ndryshon gjithnjë e më shumë. Gjithnjë e më shpesh tregtarët nuk paguhen me para, por me drogë, dhe bëhen vetë të varur, tha ai duke dhënë si shembull Republikën Dominikane. Vend prioritar për prodhimin e hashashit, sipas raportit vjetor të Këshillit të Kontrollit të drogave, vazhdon të jetë Afganistani. Atje kultivimi i paligjshëm i lulekuqes është rritur nga viti në vit me 18 për qind. Në të njëjtën kohë prodhimi i opiumit është zvogëluar me 36 për qind, “për shkak të motit të keq dhe infektimit të bimëve lulekuqes me sëmundje.”
Gjithnjë e më të degëzuara dhe të paqarta bëhen rrugët. Trazirat sociale dhe politike në Afrikën e Veriut dhe Afrikën Perëndimore kanë dobësuar qeveritë në luftën e tyre kundër drogës. Nga kjo kanë përfituar trafikantët e drogës. Rrugët tregtare kalojnë nëpër Afrikën Perëndimore dhe Lindore dhe në drejtim të Azisë Lindore dhe Juglindore. “Nga ana tjetër kokaina vjen nga Amerika e Jugut përmes Afrikës në Evropë”, pohon Sipp. Konkluzioni i tij: Problemi i drogës nuk ka qenë kurrë më global se sot./dw

Artikulli paraprakBursa Ndërkombëtare e Turizmit: Dëshirë për udhëtim e frikë nga kriza
Artikulli vijuesHelmi i bletëve do të jetë ilaçi i ri për dhimbje të shpinës dhe artritin?