Rasti "Monstra", Sela dhe Bexheti vazhduan me akuza

Sot kanë vazhduar akuzat midis deputetit të PDSH-së, Zijadin Sela dhe ministrit të Drejtësisë, Blerim Bexheti lidhur me rastin “Monstra” dhe ekstradimin e shtetasit Shukri Alija nga Kosova.

I ekstraduari nga autoritetet e Kosovës, dje nga mediat maqedonase u akuzua si koka dhe mentori i vrasjes së pesëfishtë në Smilkovc, por që sot kjo është hedhur poshtë nga ministrja e brendshme, Gordana Jankullovska.

Deputeti i PDSH-së, Sela ka kërkuar përgjegjësi nga ministri për siç tha ai rastin e Aliut që akuzohej fillimisht i lidhur me rastin “Monstra” dhe përgjegjësi për ushtrimin e dhunës ndaj të dyshuarëve për rastin “Monstra”.

“Përgjigjuni si ministër i drejtësisë që jeni, kush është marrë në përgjegjësi për rrahjen e femrave shqiptare korridoreve të gjykatës themelore në Shkup. Gardianët e burgut të Manastirit që rrahën dhe maltretuan të dyshuarit për rastin e Smillkovcit, pse mashtron opinionin që janë suspenduar kur po të njëjtit vazhdojnë të punojnë dhe të rrahin shqiptarë në burgun e Manastirit. Ç’bën drejtësia jote kur çdo person që ekstradohet siç ishte rasti i djeshëm nuk hezitojnë Koteskat dhe Jankullovskat ta bëjnë pjesë të montazhit politik për rastin ‘Monstra’, natyrisht që ti hesht. Ç’bën drejtësia jote kur gjithë provat e sigurta të Gordana Jankullovskës për terrorizëm islamik qenkan një dëshmitar I mbrojtur, I shpifur do thoja unë. E din cila është përgjigja më e mirë për ty Blerim Bexhet Bexheti dhe për BDI-në, janë gurët e popullit nëpër selit e BDI dhe nëpër oborret tuaja”, ka theksuar deputeti Sela.

Ndërkohë reagimi ka pasuar nga ministri i Drejtësisë, Blerim Bexheti.

“Ministria e Drejtësisë siguron se ky proces gjyqësor do të jetë objektiv dhe i paanshëm dhe se zbatimin e këtyre dy parimeve do të mbikëqyrin prej së afërmi edhe organizmat ndërkombëtarë siç është OSBE. Ne qëndrojmë pas këtij zotimi dhe nuk jemi si bashkëpartiakët e z. Sela që aksionet ndaj shqiptarëve t’i shpallin të suksesshëm dhe më pas duke vazhduar t’i rrahin dhe maltretojnë nëpër burgjet e vendit. E rikujtojmë deputetin Sela dhe partinë e tij, se kur BDI-ja është pjesë e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë sundon ligji dhe jo anarkia, siç praktikojnë ata kur janë në pushtet. Ne, punojmë në krijimin e një gjyqësie të pavarur, të barabartë për të gjithë qytetarët”, theksoi ministri Bexheti, duke theksuar se deklarimet e Selës janë për poentime politike. (INA)/kohaislame

Artikulli paraprakDAÇIQ: MUND TA PEZULLOJMË MARRËVESHJEN
Artikulli vijuesPresidenti afgan kritikon SHBA dhe NATO-n