Raundi i ri i bisedimeve për krizën në Libi

0
200
Dy fraksionet rivale politike në Libi të martën në mbrëmje kanë filluar bisedimet e reja të paqes, në përpjekje që ti jepet fund krizës dhe kaosit politik në vend, dhe me synimin e krijimit të një qeveri uniteti, raporton Anadolu Agency (AA).
 
Përfaqësuesit e Kongresit Kombëtar të Përgjithshëm në Tripoli (GNC) dhe të Dhomës së Përfaqësuesve në Tobruk, u bashkuan në bisedime pas bojkotimit të bisedimeve muajin e kaluar, duke mos marrë pjesë në dy takime të cilat u realizuan në Marok.
 
Raundi i ri i bisedimeve ishte planifikuar të fillonte të hënën në Gjenevë, por kjo u shty për të martën pasi delegacioni  i Kongresit Kombëtar të Përgjithshëm në Tripoli nuk arriti në kohë në Gjenevë.
 
“Libia është duke u përballur me sfida të mëdha.  Ne jemi duke filluar një raund të ri bisedimesh me një axhendë shumë të qartë. Ne propozojmë që palët të punojnë në tri javët e ardhshme dhe të përpiqen që të ketë marrëveshje në çështjet e rëndësishme,  ku përfshihet edhe krijimi i qeverisë së unitetit deri në fund të gushtit”, ka deklaruar Bernardino Leon, përfaqësuesi special dhe shefi i Misionit Mbështetës i Kombeve të Bashkuara në Libi (UNSMIL).
 
Ai ka deklaruar se nëse palët bien dakord, atëherë miratimi dhe nënshkrimin i marrëveshjes përfundimtare mund të ndodhë në javët e para të muajit shtator në mënyrë që përfundimi i këtij procesi të mund të arrihen para mbajtjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
 
Që prej rrëzimit nga pushteti dhe vdekjes së Muamar Gadafit në vitin 2011, Libia ka qenë një vend i karakterizuar nga mungesa e sundimit të ligjit dhe përleshjeve të shpeshta ndërmjet grupeve rivale që kanë lënë mijëra të vdekur dhe të plagosur.
 
Ndarjet dhe konfliktet në vend kanë sjellë krijimin e dy qeverive rivale, ku secila prej tyre pretendon se ka institucionet e veta dhe kapacitetet ushtarake.