Refugjatët, BE i druhet një krize humanitare në Ballkan

Bashkimi Europian tha se po bën planet për të përballuar një krizë të mundshme humanitare mes shtimit të kontrolleve kufitare, që pengojnë lëvizjen e refugjatëve përmes Ballkanit.

Greqia ka shprehur pakënaqësinë e saj, pasi mijëra emigrantë mbeten të bllokuar në vend, duke qenë se Maqedonia u refuzoi hyrjen shtetasve afganë, e shtyrë nga masat e reja të Austrisë. Të dhënat e fundit tregojnë një rritje dramatike të numrit të emigrantëve që mbërrijnë në Europë.

Organizata ndërkombëtare për Emigracionin “IOM” bëri të ditur se, më shumë se 100 mijë azilkërkues kanë mbërritur në kontinentin e vjetër deri më tani, gjatë këtij viti, ndërkohë që në dy muajt e parë të 2015-s të ardhurit ishin më pak se 4.000.

“Jemi mjaft të shqetësuar për zhvillimet e fundit përgjatë itinerarit ballkanik dhe krizës humanitare, që mund të shpaloset në vende të caktuara, veçanërisht në Greqi”, thanë në një deklaratë të përbashkët Komisioneri i BE-së për Emigracionin, Dimitris Avramopoulos, dhe ministri holandez i Emigracionit, Klaas Dijkhoff. Ata u bënë thirrje të gjitha vendeve të prekura të marrin masat e duhura, në mënyrë që të përballojnë një krizë të mundshme humanitare.

“Paralelisht, Komisioni po koordinon përpjekjet parapake për të ofruar mbështetje në rastin e një krize brenda ose jashtë BE-së, e për të koordinuar më tej menaxhimin e kufijve”, vijon më tej deklarata.

Gjithashtu, kreu i agjencisë së OKB-së për refugjatët, UNHCR paralajmëroi se mbyllja e kufijve do të shkaktonte kaos dhe konfuzion të mëtejshëm. Gjatë një vizite në ishullin grek të Lesbosit, ku mbërrijnë shumica e emigrantëve, Filipo Grandi tha se barra për Greqinë rrezikonte të bëhej edhe më e rëndë nga ç’ishte. Të martën, Greqia filloi të kthente mbrapsht në Athinë qindra emigrantë të bllokuar në kufirin e saj me Maqedoninë.

Maqedonia mbylli të gjitha pikat e kalimit të hënën, pas protestave dhe bllokimit të një linje hekurudhore nga emigrantët afganë.

Artikulli paraprakGruevski: Ali Ahmeti ma ka dhënë besën, me 5 qershor dalim në zgjedhje!
Artikulli vijuesRreth 4000 emigrantë në Idomeni presin të hyjnë në Maqedoni