Në një tendë në kampin e refugjatëve në Idomeni, ku janë të vendosur rreth 12 mijë refugjatë, një grup prej dhjetëra refugjatësh falën namazin e xhumasë me imam, nga i cili u bë thirrja e ezanit të xhumasë, ndërsa pas lutjeve dhe faljes së namazit u mbajti ligjërata refugjatëve, raporton Anadolu Agency (AA).
Cihad Demirli, i cili është imam në qytetin grek, Komotini, për AA tha se kjo është iniciativë e Muftinisë së Komotinit, Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Çështjeve Fetare të Greqisë. Ai bëri të ditur se para një jave Muftinia e Komotinit poashtu ka siguruar edhe 20 ton ushqim për refugjatët që ndodhen në kampin në Idomeni.
Demirli theksoi se është një kënaqësi të fal namazin e parë të xhumasë në këtë kamp. “Shpresoj që gjendja e vëllezërve tanë këtu sa më shpejtë dhe në mënyrën më të mirë të zgjidhet. Kjo nuk është në dorën tonë, por ka të autorizuar për këtë. Greqia ndodhet në një krizë ekonomike, por pavarësisht asaj mundohet të ndihmojë refugjatët. Prandaj, shpresoj që Zoti, ashtu siç thekson në ajetin kuranor, në një moment të papritur të hap një derë për të dalë refugjatët nga kjo situatë”, tha ai.
Imami Demirli, i cili në kamp ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, çdo të premte viziton kampe të ndryshme në Greqi dhe fal namazin e xhumasë me refugjatët, ndërsa në Idomeni kjo është hera e parë e faljes së xhumasë me imam.