Refugjatët, Turqia mohon marrëveshjen me BE për krizën: Ende nuk është finalizuar

Zyrtarë të Turqisë kanë bërë të ditur se këtë të premte se, plani i dakordësuar mes zyrtarëve europianë për një veprim të përbashkët me Turqinë mbi krizën e emigrantëve nuk është finalizuar.

Krerët e vendeve të BE-së ranë dakord të përshpejtonin bisedimet për liberalizimin e vizave për turqit, nëse Turqia do të mundësonte frenimin e fluksit të refugjatëve sirianë. Ata premtuan gjithashtu se do të “rifreskonin me energji të reja” bisedimet me Turqinë për t’iu bashkuar BE-në, sikurse edhe do të merrnin në konsideratë më shumë ndihma për të.

Gjithsesi, ministri i Jashtëm turk, Feridun Sinirlioglu tha se, marrëveshja e trumpetuar është ende një projekt, pra nuk është përfunduar. Ai i quajti masat financiare të propozuara nga BE-ja si “të papranueshme”, siç bën të ditur agjencia e lajmeve “AFP”.

Më herët, Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan kishte bërë kritika të ashpra ndaj reagimit të BE-së për këtë krizë.

“Ata shpallën se do të merrnin 30 mijë deri në 40 mijë refugjatë, e më pas u kandiduan për çmimin Nobel për këtë gjë. Ndërkohë, ne jemi duke strehuar dy milionë e gjysmë refugjatë dhe askush nuk do t’ia dijë”, tha ai.

Në samitin e së enjtes në Bruksel, krerët europianë ranë dakord për të përshpejtuar liberalizimin e vizave për turqit, që duan të vizitojnë shtetet e zonës “Schengen” të BE-së, sigurisht nëse Turqia do të përmbushte disa kritere respektive; si dhe për rigjallërimin e bisedimeve me Turqinë për t’iu bashkuar BE-së.

Rreth 600 mijë emigrantë kanë mbërritur në BE deri më tani, gjatë këtij viti, shumica e të cilëve kanë udhëtuar përmes Turqisë. Gjithashtu, këtë të premte Hungaria njoftoi mbylljen e kufirit të saj me Kroacinë, duke nisur nga kjo mesnatë.

Artikulli paraprakErdogan: NOBEL për Merkelin? Unë mbaj 2.5 milion refugjatë
Artikulli vijuesNdihmësit vullnetarë në itinerarin e Ballkanit