Letra që mbërriti në tavolinën e ministres së Integrimit të Danimarkës, Inger Stojberg kishte brenda një unazë, një trashëgim familjar i autorit Christian Mork, i cili shkruante: “Stërgjyshi im erdhi nga Rusia në Danimarkë në vitin 1860. Me sa di unë, stërgjyshes atëherë nuk iu kërkua të dorëzojë gjërat me vlerë kur arriti kufirin danez, e duke menduar për ata që do ta vuajnë këtë përvojë poshtëruese, po ua dërgoj tani unazën e saj.”
Marku postoi letrën me një fotografi në Facebook. Brenda pak minutash u ndez debati që tregoi edhe njëherë ndarjen në shoqëri lidhur me propozimin e qeverisë për të kërkuar që emigrantët të mbulojnë një pjesë të shpenzimeve të qëndrimit të tyre në Danimarkë. “Çfarë letre idiote. Kur njerëzit vinin këtu në vitin 1860 ata nuk merrnin para në dorë, as shkollim dhe as shëndetësi falas. Ata duhej të punonin për veten. Nuk mund të krahasohen të dyja situatat”, shkruan Kirsten Marie Waade, raporton DW.
Ndërsa një përkrahëse e veprimit të autorit Lis Greve kundërshton. “Është e turpshme që emigrantët dhe refugjatët duhet të dorëzojnë çfarë kanë në çantë, para apo gjëra me vlerë. Të kujton kohën kur hebrenjve iu rrëmbyen pasuritë nga nazistët. Ky është drejtimi ku do të shkojë Danimarka?”