Refugjati nga Siria në kampin Calais: “Pyes veten çfarë Evrope qenka kjo”

“Nuk e kam menduar asnjëherë kështu Francën. Jetojmë brenda një mjerimi në të ftohtë dhe në baltë. Qëllimi im kryesor është të kaloj në Britani”, thotë turkmeni Muhammed nga Halepi

CALAIS (AA) – Vazhdon evakuimi dhe prishja e një pjese të kampit të refugjatëve në qytetin port francez Calais i cilësuar ndryshe si “xhungël”. Kampi ndodhet në qytetin francez Calais në afërsi të bregut të Detit La Mansh. Ky det ndodhet në rrugën kryesore të kalimit të refugjatëve drejt Britanisë së Madhe, raporton Anadolu Agency (AA).

Ekipi i AA-së i cili ndodhet në Calais ka ndjekur procesin e evakuimit dhe të prishjes së pjesshme të kampit nga makineritë e punës të cilat punojnë nën sigurinë e policisë ku refugjatët e evakuuar nga pjesa jugore e kampit të cilët janë vendosur nëpër kontejnerë kanë theksuar se këtu nuk dëshirojnë të qëndrojnë për një kohë të gjatë.

Në pjesën jugore të kampit ku me vështirësi lëvizet për shkak të baltës, motit me shi dhe të ftohtit vërehet se sërish çadrat dhe tendat e ngritura nga organizatat humanitare britanike po ngarkohen në mjete nga punonjësit humanitar dhe refugjatët.

Turkmeni nga Halepi 59 vjeçari Muhammed thotë se në pjesën e kampit të evakuuar ka qëndruar për 5 vite.

Muhammed edhe pse shpreh se kontejnerët në krahasim me çadrat janë më të mirë thekson se asnjë refugjat nuk e ka ndërmend të qëndrojë në Francë.

“Nuk e kam menduar asnjëherë kështu Francën. Jetojmë brenda një mjerimi në të ftohtë dhe në baltë. Qëllimi im kryesor është të kaloj në Britani dhe të shpëtoj familjen time. E kam provuar 5 herë duke u fshehur në tuba por qentë e policisë na nuhatën dhe na gjetën”, thotë Muhammed dhe ka shtuar se brenda disa ditësh do ta provojë sërish shansin.

Muhammed i cili pasi është larguar nga Halepi dhe ka lënë familjen e tij në kampin në Liban ka shpjeguar se i vetëm ka vajtur në Izmir të Turqisë dhe më pas me gomonet e trafikantëve ka kaluar në Greqi.

Ai thotë se ende e sheh në ëndërr udhëtimin me gomone, Muhammed ato momente i përshkruan me fjalët: “Në mes të detit na mbaroi karburanti. Në një gomone me kapacitet prej 10 personash ndodheshim 50 persona. Në mendje më erdhën fëmijët dhe nëna. Mendova, nëse mbytemi a do ta gjejnë trupin. Por patëm fatin e mirë që një barkë greke na dha karburant dhe arritëm në breg”.

Artikulli paraprakMoskë, protestë kundër dhunës ndaj gazetarëve vendas dhe të huaj
Artikulli vijuesPërfundon stërvitja e përbashkët e 20 vendeve në Arabinë Saudite