Reklamë anti-Islame në metronë e Uashingtonit

Një gjykatës në Uashington vendosi se autoritetet e metrosë së qytetit duhet ta lejojnë publikimin në stacione të një reklame pro-izraelite, që cilëson radikalët myslimanë si njerëz të egër.

Zyrtarët e metrosë kishin ngritur shqetësime se kjo reklamë mund të nxisë dhunë, sidomos pas sulmit ndaj konsullatës amerikane në Libi.

Aty shkruhet: “Në çdo luftë midis njeriut të qytetëruar dhe atij të egër, mbështet njeriun e qytetëruar. Mbështet Izraelin. Mposht Xhihadin.

Nihad Aëad është drejtor ekzekutiv i Këshillit për Marrëdhëniet amerikano-islamike. Grupi mbron interesat e myslimanëve amerikanë.

“Deri tani, shumica dërrmuese e atyre që e kanë parë reklamën e kanë dënuar atë. Kanë dënuar fanatizmin, urrejtjen që mbart, si dhe organizatorët e saj.”

Këto reklama janë sponsorizuar nga Iniciativa e Mbrojtjes së Lirisë Amerikane, një grup pro-izraelit që thotë se lufton kundër islamizimit të Amerikës. Dy organizata amerikane për të drejtat civile e cilësojnë atë si një grup që nxit urrejtje.

Grupi fitoi një çështje ligjore të ngjashme në Nju Jork, ku reklama u vendos në stacionet e metrosë në muajin shtator. Pamela Geller është drejtore ekzekutive e grupit anti-islam. Ajo i hedh poshtë pohimet se ngjarjet e fundit duhet të shtynin publikimin e reklamave.

“Nuk është kurrë kohë e përshtatshme. Nëse nuk kemi të bëjmë me një reklame, kemi problemin e një filmi. Nëse nuk kemi filmin, kemi problemin e një karikature daneze, apo të një karikaturë suedeze. Ose publikimin e një karikature franceze. Kur është koha e përshtatshme për të folur hapur dhe sinqerisht për Xhihadin?”

Zyrtarë të metrosë së Uashingtonit thonë se FBI-ja është duke hetuar një kërcënim për dhunë, nëse reklama vendoset. Ka patur disa njoftime mbi gjeste vandalizmi të vogla kundër reklamës në Nju Jork, por kritikat në përgjithësi kanë qenë të kufizuara.

Benetta Standly, drejtoreshë për Uashingtonin e Bashkimit Amerikan për Liritë Civile, thotë se frika ndaj dhunës nuk do të thotë se Amendamenti i Parë, i cili mbron lirinë e fjalës së lirë, mund të kapërcehet. Ajo argumenton se mënyra më e mirë për t’iu kundërvënë mesazheve me urrejtje janë mesazhet paqësore kundër tyre.

“Në këtë vend, përgjigja kundër fjalëve fyese apo urrejtjes është përdorimi i më tepër fjalëve që i kundërshtojnë ato. Pra, ajo që po shohim të ndodhë tani në rrjetin e transportit të metrosë së Uashingtonit është se njerëzit kanë filluar të vënë reklama të ndryshme që kundërshtojnë fjalët nxitëse të urrejtjes.”

Organizata myslimano-amerikane kanë në plan të vendosin reklamat e tyre në stacionet e metrosë brenda disa ditësh.

“Mendoj se kjo është ajo që të gjithë duhet të shohin. Ata duan të shohin mesazhe që theksojnë dashurinë, dhembshurinë, bashkëjetesën, dhe pajtimin. Jo mesazhe urrejtjeje që përgatiten për të shkatërruar strukturën e Shteteve të Bashkuara dhe për të ndarë njerëzit në vija etnike dhe fetare.”/A.time/kohaislame

Artikulli paraprakQËLLOHET ME PLUMB NË KOKË NË OBORR
Artikulli vijuesPlani serb për blerjen e shtëpive të shqiptarëve në Veriun e Kosovës