Rezoluta në letër, qytetarët vazhdojnë ta braktisin Kosovën

0
176

Edhe pse Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë për parandalimin e migrimit të kosovarëve drejtë vendeve evropiane një gjë e tillë nuk është duke u respektuar dhe deri më tani ka mbetur vetëm në letër. Kjo për faktin se vetëm të enjten mbrëma nga Stacioni i Autobusëve të Prishtinës janë nisur 3 autobusë me rreth 200 kosovarë në linjën kryesore Prishtinë-Beograd.

Në ora 21:23 minuta është nisur autobusi i parë, ndërsa 5 minuta më vonë u nis edhe një tjetër autobus, po ashtu i mbushur me qytetarë të shumtë, kurse i treti është nisur në ora 23:05 minuta. Një gjë të tillë e ka konfirmuar në vendin e ngjarjes, njëri prej punëtoreve që shiste bileta në stacionin e autobusëve, por që nuk pranoi t’i përmendet emri.

 

Në mesin e shumë personave që kishin zgjedhur rrugën e migrimit kishte edhe shumë fëmijë. Ishin aty Rinesa dhe Rinori, 3 dhe 4 vjeç, të cilët së bashku me prindërit e tyre morën këtë rrugë pa e ditur se ku po shkonin njofton Kosovalive.

 

Një qytetar nga Prishtina, A. Hyseni , i cili u nis kësaj rruge, ka thënë se ka zgjedhur të dilte pa gruan dhe 4 fëmijët pasi sipas tij, nuk e ka të sigurt nëse do të mund të mbërrijë në destinacionin të cilin ia kishte premtuar dikush nga trafikantët dhe se nuk ka dashur të rrezikojë të marrë këtë rrugë bashkë me fëmijët.

 

E një tjetër qytetar që u nis mbrëmë, i cili deshi të mbes anonim, ka thënë për KosovaLive se arsyeja pse po e braktis Kosovën është për të siguruar një jetë më të mirë të cilën nuk e kishte këtu.

 

“Arsyeja pse po nisem për Hungari është për një jetë më të mirë se sa në Kosovë. Unë kam qenë edhe vitin e kaluar por jam kthyer, sepse azil nuk më dhanë dhe nuk kam mundur të bëjë asgjë. Unë po mendoj të martohem atje dhe të mbetëm në ndonjë shtet evropian, sepse vetëm për azil nuk isha nisë fare”, thotë ai.

 

Më 5 shkurt të këtij viti deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar një rezolutë për pengimin e migrimit ilegal të qytetarëve, fenomen shqetësues ky që ka prekur shumë vendin, sidomos kohën e fundit.

 

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ditë më parë, gjatë një takimi që ka zhvilluar me ministren e Landit të Bavarisë për Çështje Evropiane dhe Marrëdhënie Rajonale, Beate Merk, i ka thënë asaj se Kosova është e gatshme që ta përballojë kthimin e njerëzve që kanë migruar atje.

 

Lidhur me këtë deklaratë të kryeministrit, analisti Shpend Kursani vlerëson se kthimi i këtyre qytetarëve nuk do të mund të bëhet përderisa Qeveria e Kosovës nuk bënë një analizë më të thukët lidhur me shkaqet dhe arsyet e ikjes së tyre. Ai ka thënë për KosovaLive se Qeveria e Kosovës përpos që ka treguar një qëndrim të paarsyeshëm në këtë aspekt deri më tani, herë me vetëdije e herë pa vetëdije, ajo ende nuk i din saktë shkaqet dhe arsyet e kësaj ikjeje masive.

 

“Vendimin e parë që duhet ta marr qeveria është t’i analizojë arsyet dhe shkaqet e vërteta të largimit të qytetarëve të Kosovës. Kthimi i menjëhershëm i tyre mendoj se mund të shkaktojë pakënaqësi të mëdha qytetare, duke u bazuar në pamjet dhe mënyrën e largimit të tyre, por edhe gjendjen e rëndë ekonomike dhe sociale.

 

Qeveria e Kosovës duhet të ndryshojë shumë gjëra në këtë drejtim.

 

E para, është që të ndryshohet modeli ekonomik i vendit, ku sistemi momental të ndryshohet me një sistem më të drejtë, më të barabartë dhe më social për qytetarët e vet.

 

E dyta, është që qytetarëve t’u kthehet dinjiteti që 15 vitet e fundit është punuar shumë për tua shkatërruar.

 

E treta, është që kthimi eventual i qytetarëve të aftë për punë të shoqërohet me mundësi të barabarta dhe sa do që është e mundur të sigurta për të punuar në prodhim dhe sektorë tjerë”, ka thënë Kursani.

 

Ndërkohë sa i përket kërkesës së opozitës të bërë ditë më parë për themelimin e një fondi për parandalimin e ikjes së qytetarëve të Kosovës, përkatësisht ndarjen e 40 milionë euro për të krijuar kushte për hapjen e vendeve të reja të punës, Kursani thotë se një fond i tillë do të ishte vetëm një arnim i situatës.

 

“Me 40 milionë euro infuzion nuk mund të krijosh vende të reja pune që janë më afatgjata dhe më stabile. Ajo çka duhet të bëjë opozita është që në Kuvend të kërkojë ndryshime kushtetuese dhe të hiqen rreshtat në Kushtetutë nëpërmjet të cilave kufizohet sistemi ekonomik i Kosovës vetëm në atë të tregut të lirë. Me heqjen e këtyre rreshtave, nuk përjashtohet ekonomia e tregut të lirë, por në të njëjtën kohë nuk përjashtohen edhe modele tjera ekonomike, të cilat janë të nevojshme sidomos në fillet e ndërtimit ekonomik dhe politik të një vendi – siç ishin edhe vendet tjera që sot janë të zhvilluara. As SHBA-ja, as Anglia, e as Gjermania, nuk do të vinin në këtë nivel të zhvillimit për pa patur fillimisht mbrojtje shtetërore të prodhimit vendor dhe disa kufizimeve të ndikimeve të jashtme në ekonominë vendore dhe në politikbërje në këtë sektor”, ka nënvizuar ai.

 

Ditë më parë, gjatë një raportimi para Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), zëvendësdrejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Muharrem Ajeti ka bërë të ditur se deri tash mbi 50 mijë kosovarë e kanë braktisur vendin duke ia mësyrë vendeve perëndimore, raporton Kosovalive