Haliti: Shkohet në zgjedhje nëse vendos Kryetari i PDK’së

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherit edhe anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës(PDK),Xhavit Haliti thotë se në zgjedhje të reja nuk shkohet nëse dikush prej anëtarëve të partisë kërkon një gjë të tillë.

Sipas tij, vetëm Kryetari i PDK’së vendos se nëse do të ketë shpejt zgjedhje të reja. Në këtë situatë vetëm LDK po kërkon që procesi i ardhshëm zgjedhor të mbahet në qershor të vitit 2017.

Anëtari i Kryesisë së PDK’së, Xhavit Haliti ka thënë se janë vetëm mendime personale deklaratat e zyrtarëve të partisë që kërkojnë zgjedhje të reja.

I vetmi që vendos nëse do të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme është Kryetari i PDK’së, Kadri Veseli.

“Qëndrimin e PDK-së për zgjedhje e komunikon kryetari i partisë. Të tjerët kanë mendime personale”, ka thënë Haliti, për Express, të shtunën.

Ndërkohë, Veseli, në tetor të vitit të kaluar kishte thënë se zgjedhjet e reja mund të jenë mundësi për ta kthyer në normalitet gjendjen politike në Kosovës.

Në atë kohë, ai kishte thënë se Qeveria e udhëhequr prej Isa Mustafës kishte bërë gabim në procesin e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Dështim të dytë, ai kishte përmendur pamundësinë e koalicionit për të ratifikuar në Parlament, marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

“Nuk është fundi i botës nëse nesër del një opsion me marrëveshje politike në mes të kampit të pozitës dhe opozitës që të shkohet në zgjedhje dhe të kemi normalitet”, ka deklaruar ai.

Në anën tjetër, ndërkombëtaret po vazhdojnë të mos e përkrahin idenë për zgjedhje të reja. Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ka thënë se është ide e keqe mbajtja e zgjedhjeve të reja pa u përfunduar edhe disa çështje që janë të

“Është ide e keqe për të mbajtur zgjedhje veç pse nuk mund të mendoni çka tjetër të bëni”, ka thënë Delawie.

Ai ka thënë se udhëheqësit e zgjedhur duhet të merren me zgjidhjen e problemeve si papunësia, luftimi i korrupsionit, liritë fetare sesa me fushata zgjedhore.

“…më me dëshirë do t’i shihja politikanët dhe zyrtarët duke u marrë me këto çështje se sa të hyjnë në një vit të një periudhe të pacaktuar të etheve zgjedhore gjatë së cilës nuk arrihet shumëçka”,ka thënë ai në Rubikon të KTV-së.

Zgjedhje të reja vazhdimisht kanë kërkuar edhe Vetëvendosje, AAK e NISMA derisa LDK, e cila udhëheq me Qeverinë, ka kërkuar që mandati i kësaj legjislature të përfundojë sipas kalendarit zgjedhor, më 2018.

Artikulli paraprakGjatë janarit të hyrat janë rritur 45.7 %
Artikulli vijuesSi ka lindur spiunazhi