Ideja e presidentit Thaçi, për ridizajnim të dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit, mbështet nga zyrtarë të lartë të Qeverisë ndërsa vazhdon të kundërshtohet nga opozita.
Riformatizimi i dialogut vlerësohet i domosdoshëm nga përfaqësues të Qeverisë, megjithatë nuk bëhet e qartë se çfarë ndryshimesh duhet të ketë. Ndërkohë opozita kërkon ndaljen e dialogut, të cilin e quan të dëmshëm
Ideja e presidentit të vendit, Hashim Thaçi, për ridizajnim të dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit, ka marrë mbështetje edhe nga zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës, ndërsa vazhdon të kundërshtohet nga partitë opozitare, të cilat po kërkojnë ndërprerjen e menjëhershme të bisedimeve, shkruan “Zëri”.
Ndërkaq, analistët politikë vlerësojnë se duhet të kërkohet zbatim i marrëveshjeve të deritanishme dhe më pas dialogu të përfundojë me njohje reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Faton Abdullahu, këshilltar i kryeministrit të vendit, ka thënë se për të qenë Kosova faktor stabiliteti dhe për të ndjekur politikat e normalizimit të marrëdhënieve fqinjësore në rajon, si dhe për të qenë korrekte në hapat e saj drejt integrimeve evropiane, ajo është e obliguar të dialogojë.
“Elementet e kësaj natyre na bëjnë neve si Kosovë të jemi të shtrënguar që të rimendojmë për një ridefinim të formatit të dialogut. Sikurse edhe e ka thënë kryeministri Isa Mustafa, ne nuk mund të vazhdojmë kështu, duke u marrë vesh për mosmarrëveshjet pse nuk janë zbatuar marrëveshjet e mëhershme. Kjo logjikë na dëmtoi. Ne jemi shumë konstruktivë deri më tash. Duam që Bashkimi Evropian ta kuptojë se me çfarë Serbie të re, delikuente, po ballafaqohemi dhe të na ndihmojë edhe Brukseli që ta ridefinojmë këtë dialog”, ka thënë Abdullahu.