Rrëfimi i të kthyerit nga Gjermania: Kurrë më azilant (Video)

0
195
Dritan Syla nga Skenderaj dy muaj më parë kishte marrë rrugën drejt Hungarisë për të dalë më pastaj në Gjermani, në kërkim të nisjes së një jetë të re atje, me një punë të qëndrueshme dhe të mund ta ndihmojë familjen e tij në Kosovë. Por gjërat nuk i shkuan për së mbari.
I kthyer pas dy muajve në Kosovë me vetë dëshirë, Dritani tregon përjetimet e tij gjatë asaj periudhe.
 
Tani ai i ka vënë plane të tjera vetes dhe nuk i shkon më ndërmend që ta lëshojë Kosovën, transmeton KALLXO.com.
 
“Plani i vetëm pasi jam kthyer në Kosovë është afati për t’u regjistruar në fakultet. Ndoshta deri sa t’i përfundoj studimet ndryshon diçka edhe ofrohet mundësia për të punuar”, thotë ai.
 
Dritani ishte vetëm një nga dhjetëra- mijëra kosovarët që mësynë emigrimin në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti, në valën masive të largimit përmes Serbisë dhe Hungarisë drejt vendeve të Evropës Perëndimore.
 
Por udhëtimi i tij drejt asaj që e mendonte si parajsë ia ktheu mendjen.
 
“Kufirin Merdare –Serbi e kam kaluar në këmbë, në pjesën e Serbisë kam marrë taksi për në Suboticë, aty e kemi takuar një person të cilit nuk po ia përmendi emrin për shkak të sigurisë sime, i cili na ka kërkuar 200 euro për person për të kaluar kufirin dhe atë vetëm për të treguar se nga të shkojmë. E refuzuam dhe e kaluam vetë, por aty filluan vështirësitë”, thotë Dritani.
 
Ai thotë se ka ecur në këmbë rreth 16 kilometra brenda territorit hungarez ndërsa momentet e vështirësive vetëm sa kishin filluar.
 
“Aty kemi përjetuar tmerrin, duke e parë se sa fëmijë, familjarë, nëna kanë qenë aty të është vështirësuar kur kemi hyrë në Hungari. Kemi takuar policë hungarezë të cilët nuk na kanë ndaluar. Në hyrje të një fshati ka qenë policia dhe atëherë binte shi dhe borë, kemi ndejt katër orë në borë dhe shi. Na kanë maltretuar psikikisht deri sa na kanë dërguar në ‘burg’ për azilanta vend i cili ishte përdorur më herët për qentë e ushtrisë. Aty qëndrova 72 orë”, thotë ai.
 
Ai thotë se dhoma në të cilën kanë qëndruar në Hungari ka qenë shumë e vogël ndërsa në të kanë qëndruar rreth 80 persona duke përfshirë pleq, fëmijë, nga vende të ndryshme ndërsa ushqimi ka qenë shumë i dobët.
 
“Pas 72 orëve na kanë marrë shenjat e gishtërinjve dhe na kanë transferuar në një kamp tjetër me kushte më të mira higjienike por ushqimi shërbehej vetëm çdo 33 orë. Kam pasë fatin që vetëm 33 orë kam qëndruar aty pastaj përcjellësit e kampit na kanë marrë për të shkuar në një tjetër kamp, aty e kemi shfrytëzuar këtë hapësirë dhe jemi larguar për në Budapest”, tha Dritani.
 
Ai thotë se pesë ditë pasi që është vendosur në kamp është futur në intervistë dhe flet për ato që është pyetur gjatë intervistimit.
 
“Çdo herë thojke përse e ke lëshuar vendin, shteti yt po thotë që ka mundësi me ju mbajt dhe se ai ka ikë me vetëdëshirë, këto pyetje kanë qenë të shoqëruara me agresivitet psikologjik. U kam thënë i kam 27 vjet as edhe një ditë të vetme pune nuk e kam të mundësuar nga shteti” u shpreh ai.
 
Ai thotë se Gjermania nuk i ka dhënë azil ndërsa është kthyer me vetëdëshirë sepse e ka parë që gjasat për të fituar një leje qëndrimi në Gjermani ishin shumë të vogla.
 
Ndaj tani ka një porosi për të gjithë ata që mund të jenë me trup në Kosovë e me mendje diku në vendet perëndimore.
 
“Të mos e marrin këtë rrugë, jo pse unë dua të ju them se në Kosovë është gjithçka në rregull, asgjë nuk është në rregull, por arsyeja është se prej Merdares deri në Gjermani ata kanë me përjetu vuajtje e maltretime edhe fizike nga ana serbe. Kam takuar edhe njerëz që kanë pasur kontakt me palën serbe, policë apo civilë dhe janë maltretu, janë plaçkitë…”, thotë Dritan Syla.
 
Ai thotë se ka takuar shumë familje nga Kosova të cilët e kanë shitur gjithë pasurinë që e kanë pasur duke menduar që me hyrjen në Gjermani çdo problem zgjidhet.
 
Ai vetë thotë se e ka kuptuar që emigrimi ilegal është vetëm fillimi i problemeve./KALLXO.com/