Rumeysa Gelgi nga Safranbolu i Turqisë, me gjatësi 2.14 metra, është adoleshentja më e gjatë në botë.
Por, 19-vjeçarja duhet të lëviz me karrocë apo të mbështetet në strukturën prej metali, sepse ka probleme të mëdha fizike, transmeton Telegrafi.
Ajo vuan nga Sindromi Weaver. Që në vitin 1997 kur ajo ka lindur, janë raportuar vetëm 20 raste të tilla.
Të prekurit nga kjo sëmundje rriten me shpejtësi që nga fëmijëria, por nuk u zhvillohen si duhet gjunjët dhe bërrylat, duke ua bërë ecjen dhe vrapimin shumë të vështirë.
Me kalimin e kohës, eshtrat e saj kanë filluar të rrëndohen dhe më nuk kanë fuqi t’ia mbështetin trupin. Pos kësaj, adoleshentja vuan edhe nga skolioza që ia ka lakuar shpinën.
“Si gjashtëvjeçare e dija se jam e sëmurë dhe nuk mund të shërohem, andaj gjithmonë ëndërroja të isha si fëmijët tjerë”, ka thënë Rumeysa.
Në vend se të jetë me bashkëmoshatarët dhe të vazhdojë studimet, ajo jeton në shtëpi me prindërit, të cilët e nxjerrin shpesh në shëtitje në qytezën ku jetojnë. /Telegrafi/