Rrezik lufte dhe kufinj të rinj në Ballkan

Në Kosovë, Bosnjë dhe në Serbi po projektohet sërish rrezik lufte. Po ngriten sërish kërkesa për kufinj të rinj, një temë e hekurt tabu për SHBA-të dhe UE-në. A shkon kjo?

Ish kryetari kroat Josip Josipoviç po e thotë sikurse edhe presidenti serb në Bosnjë, Mladen Ivaniç. Marrëdhëniet e shteteve të dala nga Jugosllavia në Ballkan janë aq të këqija sa ç’nuk kanë qenë prej mbi dy dekadash. Javëve të fundit shumë politikanë po flasin për rrezik lufte. Kryetari i Serbisë Tomislav Nkoliç në rast të rastit do t’i prijë vetë marshimit të ushtrisë në Kosovë, sepse atje shqiptarët gjoja po planifikojnë luftë kundër pakicës serbe.

Dhe, pasi pakicat gjithandej në këto shtete jugevropiane janë të pakënaquara, përsëri po qarkullojnë mendime për ndryshim kufinjsh. Të gjithë i ka elektrizuar një artikull në revistën amerikane «Foreign Affairs» në fund të vitit të kaluar. Ish diplomati britanik Diplomat Timothy Less e shpall aty politikën e Washingtonit dhe të UE-së për pajtimin dhe ruajtjen e shteteve multietnike si të dështuar. Vetëm ndryshimet e kufinjve do të mund t’i parandalonin konfliktet e pashmangshme të armatosura.

Shembull tipik i konflikteve të ngrira

Ndihmë po vjen nga ish agjenti sekret francez Pierre-Henri Bunel, i cili problemet në rajon i përshkruan si «shembull tipik i konfliteve të ngrira». Në revistën beogradase «Nedeljnik» u shfaq ish specialisti i CIA-s për Ballkanin, Steven Meyer. Ai propozoi një këmbim territoresh për zgjidhjen e problemit deri tani të pakontrollueshëm të Kosovës. Veriu me shumicën lokale serbe duhej t’i bashkohej Serbisë, pakica serbe në pjesën tjetër të Kosovës do të duhej të zhvendosej me ndihmën e Kombeve të Bashkuara. Në këmbim, Serbia do të duhej ta njihte pavarësisnë e ish provincës së saj.

Në këtë rast lideri i shqiptarëve në jug të Serbisë, Jonuz Musliju, do që rajoni rreth Preshevës dhe Bujanocit, ku njerëzit e tij regjionalisht e përbëjnë shumicën, t’i bashkangjintej Kosovës fqinje. Këto mendime i përkrahin edhe politikanë në Republikën e Shqipërisë. Ish kryeministri shumëvjeçar Sali Berisha kërkoi në parlamentin e Tiranës atëherë bashkimin e Kosovës me «republikën amë», Shqipërinë.

Situatë e ndërlikuar sidomos në Bosnjë e Hercegovinë

Përderisa këmbimi i territoreve rreth Kosovës duket teoretikisht i mundur, problemet në Bosnjë e Hercegovinë janë ndjeshëm më të ndërlikuara. Këtu serbët në gjysmën sot pothuajse të pavarur të vendit pretendojnë prej vitesh të shkëputen nga federata, në të cilën boshnjakët myslimanë e përbëjnë shumicën. Kroatët katolikë, me 15 për qind, janë grupi më i vogël etnik, që sot janë të lidhur më fort me vendin më të ri të UE-së, Kroacinë, sesa me kryeqytetin boshnjak Sarajevën.

Ka vetëm pak zëra, si ai i ish politikanit reformator serb Zarko Korac, të cilët paralajmërojnë nga rreziku i kufinjve të rinj. Nga perspektiva e mjerimit social dhe emigracionit masiv të të rinjve dhe njerëzve me shkollim të mirë, ai në edicionin më të ri të revistës NIN e formuloi këtë apel: «Don të bësh luftë (për një Serbi të Madhe) dhe të vdesësh, apo t’i pranosh kufinjt ekzistues dhe të luftosh që Serbia megjithatë ndonjëherë të bëhet vend i jetesës?

Artikulli paraprakZgjedhja e presidentit të Gjermanisë
Artikulli vijuesEksportet e Gjermanisë dhe zemërimi i Donald Trump