Zyrtarët kanë thënë se ende është shumë herët për të ardhë në përfundime se çfarë e ka shkaktuar rrëzimin e avionit rus në gadishullin egjiptian Sinai, me 217 pasagjerë dhe 7 anëtarë të ekuipazhit në bord, ku mbetën që të gjithë të vdekur.
Megjithatë, me dërgimin e kutisë së zezë për ekzaminim në Ministrinë e Aviacionit Civil në Kajro, janë shtuar spekulimet se çfarë mund ta ketë shkaktuar incidentin që la 224 persona të vdekur, shumica e tyre shtetas rus
Autoritetet që janë të përfshira në procesin hetimor kanë parashtruar pretendime të ndryshme mi rrëzimin e avionit rus “A321.” Presidenti egjiptian Abdul Fattah al-Sisi ka urdhëruar hetim të menjëhershëm, mirëpo pretendimet se avionin e ka rrëzuar grupi i militantëve të Shtetit Islamik i ka quajtur “propaganda.”
Zëvendësdrejtori gjeneral i aviokompanisë “Metrojet”, Alexander Smirnov, kompanisë që i përkiste avioni, për gazetarët ka thënë se problemet teknike dhe gabimet njerëzore nuk mund të jenë shkaktarët, ndërkaq pak më vonë mediat amerikane raportuan se një satelit amerikan ka detektuar një “valë termike” në Sinai gjatë kohës së aksidentit, duke zgjuard dyshimet se shkaktarët mund të kenë qenë “faktorë të jashtëm.”
Të dhënat nga satelitët detektues janë ende në ekzaminin, ndërkohë që kjo valë termike dyshohet se mund të jetë shkaktuar nga një seri faktorësh: një predhë, një shpërthim bombe, shpërthim i motorëve, ndonjë problem strukturor; ose ndonjë kontakt tjetër nga toka.
Autoritetet ruse kanë raportuar se avioni “Airbus” përpara se të rrëzohej është ndarë në dysh në ajër. Në anën tjetër, drejtori i Agjencisë Ruse të Transportit, Alexander Neradko, ka bërë apel për komunitetin e aviacioni që të përmbahen nga përfundimet e hershme.