Rritet prodhimtaria e mjaltit‏

Përkrahja e Ministrisë së Bujqësisë për sektorin e bletarisë, ka bërë që në vend të rritet numri i atyre që merren me këtë sektor. Krahas kësaj, subvencionimi i prodhimtarisë së mjaltit, ka ndikuar edhe në shtimin e cilësisë së kësaj prodhimtarie, e cila sivjet përveç subvencioneve, po përkrahet edhe nëpërmjet granteve investive.
Kështu është vlerësuar në panairin tradicional të bletarisë “Kosova 2013”, i cili është hapur sot në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, në të cilin po marrin pjesë mbi 70 bletarë nga Kosova dhe rajoni.

Në hapjen e këtij panairi, drejtori i Prodhimtarisë Bujqësore dhe Tregtisë, Isuf Cikaqi, ka treguar se prodhimtaria e mjaltës nga viti në vit është duke shënuar rritje, e në këtë sipas tij viteve të fundit ka ndikuar edhe përkrahja financiare e ministrisë. “Ministria e Bujqësisë krahas mbështetjes se sektorëve tjerë në fushën e bujqësisë, këtë vit në skemat e veta programore përveç subvencioneve, të cilat arrijnë vlerën në 300 mijë euro, këtë sektor është duke e mbështetur edhe me grante investive në vlerë prej 250 mijë euro, me qëllim të zhvillimit të mëtejmë të këtij sektori dhe inkurajimit të fermerëve për t’u marrë me këtë veprimtari”, tha drejtori Cikaqi.

Në anën tjetër, kryetari i Lidhjes së Bletarëve të Kosovës, Haxhi Demukaj, tha se falë kushteve të favorshme klimatike si dhe mbështetjes së Ministrisë së Bujqësisë, ky vit është treguar i mbarë dhe mjaft i suksesshëm për bletarët. “Rendimentet e mjaltës sivjet janë më të mëdha se sa viteve të mëparshme, ku sipas të dhënave që kemi rendimenti po sillet prej 20 deri në 22 kilogramë për koshere. Në këtë ka ndikuar në masë të madhe edhe përkrahja e Ministrisë së Bujqësisë, e cila sivjet është rritur edhe më shumë”, tha kryetari Demukaj. Ai ka treguar se përveç rritjes së prodhimtarisë dhe cilësisë së mjaltit, përkrahja financiare po ndikon edhe në rritjen e numrit të bletarëve.

Panairi tradicional i bletarisë “Kosova 2013”, i cili është organizuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Lidhja e Bletarëve të Kosovës, do të jetë i hapur deri më 5 tetor dhe në të përveç bletarëve kosovarë, prodhimet e tyre po i ekspozojnë edhe bletarë nga Maqedonia, Shqipëria dhe Lugina e Preshevës. /Telegrafi/

Artikulli paraprakSulmohet ambasada ruse në Tripoli, evakuohen rusët nga Libia
Artikulli vijuesSuedi kandilët e detit nxorrën jashtë përdorimi centralin bërthamor