Rryma do të shtrenjtohet

Nëse Kosova nuk e ndërton Termocentralin e ri, deri në vitin 2030 qytetarët do të paguajnë 72 për qind më shtrenjtë energjinë elektrike se që paguajnë tani.
Një kilovat orë energji do të kushtoj hiq më pak se 10.3 euro cent, për shkak të rritjes së kostos së energjisë së importuar nga rajoni.

Deri në atë kohë, Kosova do të duhet të importoj mbi 480 milion euro në vit energji elektrike, pasi prodhimi vendës do të mund të mbuloj më pak se 60 për qind të kërkesës në rritje për furnizim, sidomos pas mbylljes së termocentralit Kosova A, transmeton Gazeta Fjala.
Ky është njëri nga tre skenarët, më ekstremi Bankës Botërore për situatën energjetike në vend.
Sipas këtij skenari, do të hapet një boshllëk I madh mes ofertës dhe kërkesës që do të kërkojë një sasi në rritje të importeve, e cila do të duhet të paguhet ose përmes rritjes së kostove ose përmes subvencioneve.
“Zëvendësimi i Termocentralit Kosova A me importe nuk është opsion por edhe sikur të ishte, importet do të sjellin një barrë të rëndë financiare për konsumatorët ose për buxhetin”, thuhet në vlerësimin e Bankës Botërore.
Por ky institucion ka hartuar edhe një skenar tjetër të kombinuar me ndërtimin e Termocentralit Kosova e re dhe shtimit të energjisë së ripërtriteshme siç e parasheh edhe strategjia e energjisë.
Megjithatë, nuk do të jetë i lirë për konsumatorët final.
“Tarifat hyrëse për energjinë elektrike të ripërtërietshme (mes 63 euro dhe 85 euro për MSh) dhe kostot për investime në efikasitet të energjisë të kombinuara me koston e ndërtimit të TCKR do të rrisin kostot e tërësishme të energjisë”, thuhet në raport, të cilin e posedon Gazeta Fjala.
Sipas këtij vlerësimi, kostot e tërësishme të projektit prej 1.2 miliard euro, përfshirë kamatën, për TCKR do të rrisin kostot mesatare në një çmim të vlerësuar 8.55 euro cent për KWh para se të fillojnë t zbresin kur të zbresin edhe humbjet e distribucionit, nëse të gjitha kostot do të barten tek konsumatorët.
“Megjithatë, duke zbutur rritjen e kostove, përshtatja mesatare e tarifave do të mund të zbutej përgjatë kohës. Vlerësimet e paraqitura nuk përfshijnë kostot e pagesës (kthimit) të 206 milion euro që sektori i energjisë i ka borxh qeverisë. Integrimi i këtyre pagesa do ta rriste tutje koston për konsumatorët”.
Banka Botërore e sheh tejet të rëndësishme sektorin e energjisë për qëndrueshmërinë fiskale dhe rritjen ekonomike në Kosovë.
Por, edhe pse thotë se duhet inkurajuar fort pjesëmarrjen e sektorit të rëndësishëm privat, ende është e paqartë se sa do të involvohet ai.
“Investitorët kanë nevojë për besueshmëri se investimet mund t’u kthehen plotësisht përmes tarifave të cilat reflektojnë kostot. Për më shumë, investitorët duhet të binden se ZRrE di të rregullojë tregun e energjisë në mënyrë të pavarur pa favorizuar ndonjë pjesëmarrës në treg, përfshirë ndërmarrjet e sektorit publik. Pa këto garanci do të jetë vështirë të sigurohet pjesëmarrja e sektorit privat”.
Investimet e reja do të duhet të paguhen ose nga konsumatorët final ose nga subvencionet e qeverisë.
“Qeveria e Kosovës duhet të analizojë se si këto investime të ndryshme do të ndikojnë në kostot e përdoruesit të fundit dhe nëse të gjithë realizëm nëse këto kosto do të mund të barten nga buxhetet e shtetit”.
E nëse vetë Qeveria vendosë të heq dorë nga investimet private për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, atëherë sipas skenarit të tretë të propozuar, duhet të ndahen mjete nga buxheti ose të merren hua, raporton Gazeta Fjala.
“Ky nuk do të ishte një opsion i preferuar dhe duhet të konsiderohet vetëm si opsion i fundit. Megjithatë do të ishte më i preferuar se skenari i mosveprimit i detajuar më lartë”, thuhet në raport.
Nëse vërtetë mbetet ky opsioni i vetëm, atëherë do të kishte një kosto 950 milion euro deh me një kombinim 50 për qind para të buxhetit dhe pjesa tjetër borxh publik.
Borxhi publik, në nivelin më të lartë në këtë rast do të shkonte në 591 milion euro.
Aktualisht Qeveria e Kosovës po negocion me kompaninë“Contour Global”, për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.
Garry Levesley, zëvendëspresidenti i “Contour Global”-it, ka premtuar se termocentrali i ri do t’i ketë dy blloqe nga 300 deri në 330 megavate ndërsa do të investojnë deri në 1.4 miliard euro në ndërtimin e Termocentralit të ri.
Levesley, ka thënë se gjatë 4-5 vjetëve të ardhshme në mënyrë të drejtpërdrejtë apo indirekte do të krijohen deri në 10 mijë vende pune gjatë fazës së ndërtimit të termocentralit të ri “Kosova e Re”. Pastaj, gjatë operimit të tij do të krijohen rreth 400 vende pune për rreth 40 vjet të operimit të këtij termocentrali.
Kjo kompani ka propozuar që të zhvillojnë, të financojnë, të kontraktojnë dhe të menaxhojnë ndërtimin e termocentralit, ku do të ishin aksionari kryesor.   
Artikulli paraprakSHBA-të heqin ndalesat ndaj Bahrejnit për ndihma në fushën e sigurisë
Artikulli vijuesÇka tha drejtori i policisë për familjet muslimane në Lazarat?