RTK ndalon intervistën me Sekiraqën!

Radio Televizioni i Kosovës nuk e ka transmetuar intervistën me shumë të përfolurin Enver Sekiraqa, që është thënë se do të shfaqej mbrëmë në ora 21:00, në kuadër të emisionit “Drejtësia në Kosovë”.

Mos transmetimin e emisionit e ka konfirmuar edhe stafi i emisionit “Drejtësia në Kosovë”.

“Ekipi i Drejtësia në Kosovë u kërkon ndjesë shikuesëve sepse RTK nuk e ka transmetuar emisionin e sontëm. Posa të marrim sqarim zyrtar nga menaxhmenti i RTK-së për ndalimin e transmetimit të emisionit të sontëm, do ta ndajmë me ju” (sic.), thuhet në njoftimin e ekipit në profilin “Jeta në Kosovë” të rrjetit social Facebook.

Në këtë intervistë, të xhiruar pak para dorëzimit në EULEX, Sekiraqa rrëfente për të bëmat, problemet dhe atentatet ndaj tij. Po ashtu, është thënë se Sekiraqa flet për qëndrimin e tij në Zonën Operative të Llapit, mbajtjen e tij në paraburgim në Llapashticë dhe Majac dhe arratisjen ditën kur ai mendonte se ishte planifikuar ekzekutimi i tij.

Sekiraqa tregon se çfarë lidhjeje ka pasur me politikën, policinë dhe VIP-at; lidhjen e tij me vrasjen e policit Triumf Rizaj, incidentin në “Swiss Casino”, qëndrimin e tij në arrati dhe bashkëpunimin e tij me Zvonko Veselinovicin.

Ai tregon edhe për komunikimin e tij me gjykatës e prokurorë vendas dhe porositë e tyre që Sekiraqa ta lëshonte Kosovën. Në emision gjithashtu trajtohen arsyet se pse Sekiraqa është dorëzuar në EULEX.

Jozyrtarisht mëson se ndalimi i transmetimit të intervistës së Sekiraqës është bërë “për të mos ndikuar në procesin gjyqësor ndaj tij”. /Tg/kohaislame

Artikulli paraprakHRW kundër bombave kasetore në Siri
Artikulli vijuesStërvituni nga pak