Dhoma e lartë e Parlamentit rus, e njohur ndryshe si Këshilli Federativ, ka votuar në mënyrë unanime për t’i dhënë miratimin Presidentit Vladimir Putin, për të dërguar ushtrinë me mision në Siri.
Lajmi konfirmohet edhe nga kreu i administratës presidenciale, Sergei Ivanov, gjatë kësaj të mërkure, i cili shton se vendimi nuk ka të bëjë me dërgimin e trupave tokësorë, por vetëm me sulme ajrore.
Presidenti rus, Putin kërkoi më herët ndaj Dhomës së lartë të Parlamentit të merrte në konsideratë përdorimin e forcës ushtarake përtej kufijve të vendit.
Kremlini, fillimisht u ndal në mosdeklarimin e vendit se ku do të dërgohej me mision ushtria, por Rusia i ka dhënë prej javësh sinjalet e një pranie gjithnjë e më të madhe ushtarake në Siri, ku kërkon të mbështesë forcat qeveritare të Presidentit Bashar al-Assad.
Herën e fundit që Parlamenti rus i kishte dhënë Putinit të drejtën për të dërguar ushtrinë jashtë vendit, një kërkesë teknike bazuar mbi ligjet ruse, Moska aneksoi Krimenë nga Ukraina vitin e kaluar.
Valentina Matviyenko, folësja e Këshillit Federativ, tha se dhoma do ta merrte në konsideratë gjatë ditës, por veprimi duket se është kryer më herët nga sa pritej.
Sipas Kremlinit, kërkesa kishte të bënte me “dërgimin e një kontigjenti ushtarak të Federatës Ruse” jashtë vendit mbi bazat e “parimeve të njohura dhe të pranuara universalisht dhe normave të ligjit ndërkombëtar”.