Samiti i BE-së, diskutime për sanksione ndaj Rusisë

Nisjen e samitit të udhëheqësve të BE-së në Bruksel, Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti francez François Hollande, e paraprinë me një mesazh drejtuar Rusisë për ndalimin e bombardimeve në Aleppo.

28 krerët e shteteve dhe qeverive do të diskutojnë sanksionet ndaj Rusisë, pas fushatës ajrore të saj kundër rebelëve, në pjesën lindore thuajse tërësisht të rrënuar të qytetit.

“Shpresoj që, ashtu si Këshilli Europian, edhe ne të jemi në gjendje ta përvijojmë qartë këndvështrimin tonë se, ajo çfarë po ndodh në Aleppo me mbështetjen e Rusisë është krejtësisht çnjerëzore. Prandaj duhet të punohet për paqen dhe jo të mjaftohemi vetëm me disa orë pushimi. Nevojitet një pushimzjarri i përhershëm”, tha Merkel.

Rusia, mbështetëse e Presidentit sirian Bashar al-Assad i tha Kombeve të Bashkuara se do ta ndalojë bombardimin e Aleppos për 11 orë gjatë 4 ditëve në vazhdim, megjithatë në Pallatin e Qelqtë kjo nuk konsiderohet e mjaftueshme për nxitjen e një armëpushimi më të gjerë, në sajë të të cilit edhe militantët të mund të largohen nga zona e luftës.

Për Hollande, të gjitha mundësitë janë të hapura, nëse Moska nuk pajtohet me pushimzjarrin në Siri, por Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk tha se në këtë takim nuk do të merret vendim për Rusinë.

“Kjo e sotmja nuk është një ditë vendimesh, por dua të theksoj se, nëse krimet vazhdojnë, Bashkimi Europian duhet t’i mbajë parasysh të gjitha mundësitë, përfshirë këtu edhe sanksionet”, tha Tusk.

Ky është i pari takim i këtij niveli, ku merr pjesë kryeministrja britanike Theresa May, e zgjedhur shefe e ekzekutivit në Londër pas referendumit të 23 qershorit. “Brexit”-i, me shumë gjasë do të zërë vend në diskutime, në kohën kur prej Britanisë pritet aktivizimi i “artikullit 50”, i cili vë në lëvizje mekanizmin e shkëputjes nga blloku europian.

Artikulli paraprakSulmohet godina qeveritare në Kirkut të Irakut
Artikulli vijuesPas Shqipërisë, Gylen po “pushton” edhe Kosovën