Schulz, kundërkandidat i Merkelit në zgjedhjet e shtatorit

0
201

Liderët e Partisë Social-Demokrate (SPD) të Gjermanisë kanë nominuar ish-presidentin e Parlamentit Evropian Martin Schulz si kandidat të tyrin për të garuar kundër konservatores Angela Merkel në zgjedhjet nacionale të shtatorit.

Vendimi do të formalizohet në një konference speciale të partisë që do të mbahet në Berlin më 19 mars, i kanë thënë Reutersit burimet.

Rreth 35 anëtarë të komitetit ekzekutiv të partisë kanë votuar unanimisht për Schulzin, 61-vjeç, për t’u bërë lider i ri i partisë dhe kandidat për kancelar, ka thënë më tej burimet, transmeton Koha.net.

Partia e qendrës së majtë të martën lajmëroi hapin befasues për të nominuar Schulzin për të zëvendësuar liderin aktual të partisë, Sigmar Gabriel, i cili tha se po largohet për t’ia shtuar shanset partisë në zgjedhjet e 24 shtatorit. Vendimi është parë si shenjë se SPD ka vendosur seriozisht që ta përfundojë rolin e saj si partner i vogël i koalicionit aktual të Merkelit.

Revista gjermane “Der Spiegel” e ka portretizuar Schulzin si shpëtimtar të partisë të dielën, duke e vendosur një fotografi të Schulzit me titullin “Saint Martin” (Martini i Shenjtë).

Sipas një sondazhi të kryer javën e kaluar me 1,046 respodentë, kristian-demokratët e Merkelit pritet të fitojnë 34 për qind të votave nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot, ndërsa SPD-ja 23 për qind.