Një studim shkencor ka vërtetuar se gruaja, që bart shaminë dhe është kureshtare për këtë, ndjehet psikikisht dhe emocionalisht më mirë në raport me qasjen pozitive ndaj vetvetes sesa gruaja që nuk bart shaminë.
Si ndodhë kjo?
Sekretin e kësaj na e zbulon Universiteti Westminster nëpërmjet një punimi të publikuar në revistën angleze për Shkencën e Psikologjisë. Punimi në të vërtetë trajton një anketë të bërë me qindra vajzave që bartin shaminë dhe të tjera pa shami. Hulumtuesit kanë konstatuar se vajzat e mbuluara disponojnë me një vetëbesim shumë më të madh dhe me një siguri më të lartë në raport me vajzat e pambuluara.
Studimi ka zbuluar se femrat e mbuluara janë më pak të preokupuara dhe më pak të stresuara për peshën dhe pamjen e jashtme, sikur që shpenzojnë më pak për rrobat e tyre.
Aventurë me shaminë në rrugët e Nju Jorkut
Një xhirim amatoresk në rrugët e Nju Jorkut me një vajzë të pambuluar, e cila, megjithatë nuk kishte veshur rroba provokuese, ka vërtetuar se së paku brenda një ore është ngacmuar seksualisht dhjetë herë. E njëjta vajzë, kishte realizuar një përvojë tjetër, por kësaj radhe me shami. Kishte ecur rrugëve të njëjta dhe në të njëjtën kohë (me përvojën paraprake kur frekuentimi i njerëzve është më i madh), por për befasinë e saj dhe të gjithë të tjerëve ajo nuk u ngacmua madje as edhe një herë të vetme.
Kjo përvojë flet shumë, e ndoshta më së shumti për atë se si shamia nuk është thjeshtë vetëm një mbulesë për kokë. Ajo që ka penguar meshkujt ta ngacmojnë seksualisht këtë vajzë është dija e tyre paraprake se femra myslimane që bart shaminë nuk i përgjigjet provokimeve. Kështu, krejt instinktivisht, ata largohen prej tyre (femrave me shamia).
Mburojë nga kanceri i lëkurës
Në Perëndim janë kryer studime të shumta sa i përket përhapjes së kancerit të lëkurës, e veçanërisht tek femrat, të cilat i ekspozohen më shumë rrezatimit të diellit. Mjekët kanë këshilluar femrat që të mos zbulojnë pjesë të trupit të tyre për ta ruajtur kështu lëkurën nga kanceri. Në një studim të kryer tash në vitin 2015, është vërtetuar se femrat e moshërritur janë më shumë të rrezikuara për kancer nga ekspozimi ndaj diellit sesa fëmijët. Pra, femra duhet të ketë kujdes të ruajë trupin e saj që nga hyrja në moshën madhore dhe të mos zbulojë nga trupi i saj vetëm se ato pjesë që ia ka lejuar Krijuesi t’i zbulojë.
Ky studim zbulon një mrekulli shkencore të Islamit.
Në këtë fotografi shfaqen llojet kryesore të kancerit të lëkurës. Kjo sëmundje ka filluar me të shpejtë të përhapet tek gratë që frekuentojnë shpesh plazhet apo që gjatë jetës së tyre të përditshme zbulojnë pjesë të shumta të trupit. Mjekët këshillojnë që për tu mbrojtur nga kanceri i lëkurës, femrat duhet ta mbulojnë trupin.
Rezultatet e studimit:
Shamia nuk është thjeshtë një traditë apo një leckë që vihet mbi kokë. Rëndësia e saj është e pakontestueshme në ndryshimin pozitiv të jetës së femrës; ndryshimin e mendimit të saj për vetveten, ndryshimin e mendimit të të tjerëve ndaj saj.
Shamia është mjet preventiv ndaj shumë njerëzve dhe gjërave që mund të kenë në cak dhe shënjestër femrën dhe nderin saj. Një femër e mbuluar do të kontrolloj raportet e saj, do të ndryshoj stilin e jetesës, do të minimizoj kontaktet me burrat e huaj, gjëra këto që vetvetiu ndikojnë në minimizimin e mundësisë së ngacmimit seksual e aq më pak të kidnapimit.
Shamia e mbron femrën nga të këqijat, nga shikimet epsharake të meshkujve, nga ngacmimi seksual, i cili, si dukuri, çdo ditë e më shumë po bëhet shqetësues. Krahas këtyre, shamia ruan edhe shëndetin e femrës.
Kjo, sigurisht, nuk nënkupton se femra duhet t’i ikë rrezeve të diellit dhe të qëndroj përherë në vend të mbyllur dhe të errët. Ajo për nevojat e saj shtëpiake, studimore dhe të tjera, mund të t’i ekspozohet rrezeve të diellit dhe të përfitojë prej tyre (për shkak të mbrojtjes që ka për lëkurën).
Tani, motër e nderuar, a je bindur se shamia është mirësi prej Allahut?
A do të bëhet shamia pjesë e imazhit dhe karakterit tënd?
Lexoji këto fjalë të Allahut të Madhëruar:
Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, t’i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, të mos zbulojnë stolitë e tyre përveç atyre që janë të dukshme, le të venë shamitë mbi kraharorin e tyre dhe të mos ua tregojnë bukuritë e tyre askujt përveç burrave të vet, babajve të vet ose babave të burrave të vet, djemve të vet ose djemve të burrave të vet, vëllezërve të vet ose djemve të vëllezërve të vet, apo djemve të motrave të veta, ose grave të tyre (që u përmendën) dhe robëreshave, të cilat i kanë në pronësinë e tyre, ose shërbëtorëve nga meshkujt të cilët nuk ndiejnë nevojë për femrat ose fëmijët që nuk e kanë arritur pjekurinë për gra. Le të mos kërcasin me këmbët e tyre për ta zbuluar fshehtësinë nga stolitë e tyre. Pendohuni të gjithë te All-llahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim.“ (En-Nur, 31)
Nëse mund të vëreni, Allahu këtë ajet e ka vendosur në kaptinën Nur –drita, që, në një farë forme, na thotë se shamia është nur dhe dritë për çdo femër, nur në dynja dhe nur në ahiret.
Ky ajet kur’anor vë kriteret për shaminë, e cila nuk është thjesht mbulim i kokës, por është mbajtje për mësimeve të Kur’anit dhe Sunnetit. Është reflektim i ndjenjës së mbikëqyrjes nga Allahu Fuqiplotë.
Referenca:
Is the hijab protective? An investigation of body image and related constructs among British Muslim women, http://onlinelibrary.wiley.com/doi/10.1111/bjop.12045/abstract , August 2014.
http://www.npr.org/blogs/goatsandsoda/2014/09/15/347083281/covering-up-with-the-hijab-may-aid-womens-body-image
Sun Exposure in Adulthood Can Be Risky, http://www.medscape.com/viewarticle/841878, 23-3-2015.