Sëmundjet mendore në ushtrinë amerikane

0
125

Gjendja emocionale e autorit të sulmit në Kantierin e Marinës në Uashington, Aaron Alexis është shndërtuar në një element qendror të hetimit, ndërkohë që po ngrihen pyetje se pse kontraktori i marinës Alexis kaloi hetimet e sigurisë megjithë problemet e tij psikiatrike në të kaluarën.

Sa më shumë që hetuesit mësojnë rreth Aaron Alexis nga policia, ushtria dhe të dhënat personale shëndetsore, aq më shumë pyetje bëhen se pse ai kaloi hetimet e sigurisë dhe mori kartën e identifikimit, që i siguroi atij hyrje normale në këtë ndërtesë të Kantierit të Marinës, ku vrau 12 veta.
Admirali John Kirby është zëdhënës i marinës.

“Hetuesit po shqyrtojnë në hollësi dhe me kujdes të kaluarën e tij. Edhe ne në Marinë po bëjmë hetime rreth kohës që ai kaloi këtu dhe shërbimin e tij për të parë nëse na ka shpëtuar ndonjë hollësi, që duhet ta kishim trajtuar ndryshe”.

Aaron Alexis ishte përballuar më shumë se një herë me policinë për shkelje të ligjit të armëve dhe sjellje të papërshtatshme ndërkohë që punonte për marinën. Dhe më së fundi ai kishte telefonuar policinë, duke u ankuar se dëgjonte zëra, informacion që policia thotë se ia kaloi Marinës.
Ai kishte kërkuar gjithashtu ndihmë mjeksore në një qendër qeveritare për veteranët.

Dhe të gjitha këto çrregullime ndodhën para se Aaron Alexis të shkonte në këtë dyqan, ku bleu armën, të cilën e përdori në incidentin e datës 16 shtator.
Sekretari i Mbrojtjes, Chuck Hagel njoftoi se ka filluar një hetim i gjerë për të parë se përse sistemi nuk funksionoi si duhet.

Vrasjet në Kantierin e Marinës ngrenë pikpyetje rreth procesit hetimor të ushtrisë kur bëhet fjalë për sëmundjet mendore.

Muajin e kaluar, ish analisti i zbulimit të ushtrisë, Bradley Manning, i cili ishte diadnostikuar me çrregullime ankthi dhe në identitetin e tij gjinor, u dënua nën akuzat për spiunazh për rrjedhjen më të madhe të informacioneve sekrete në historinë amerikane.

Psikologia Barbara Van Dahlen, e cila thmeloi një organizatë, që siguron shërbim shëndetsor për sëmundje mendore për veteranët, beson se problemi ka të bëjë me pranimin e faktit se sa i rëndësishëm është shëndeti mendor.

“Në Shtetet e Bashkuara nuk është bërë sa duhet për njohjen e sëmundjeve mendore si pjesë e sistemit shëndetsor, pra kjo nuk është vetëm çështje e ushtrisë. Ne nuk na vjen mirë të pranojmë, për shembull, se jemi me depresion ose në ankth dhe kemi nevojë për ndihmë mjeksore. Kjo është edhe më e theksuar në ushtri, ku ekziston mentaliteti se duhet të jesh i fortë dhe të përballosh vështirësi të ndryshme”.

Alexis nuk shërbeu kurrë në luftërat në Irak ose Afganistan dhe nuk kishte shenja se vuante nga stresi post traumatik, por psikologia Van Dahlen thotë se njoftimet për haluçinacion dhe vizita e tij e fundit në emergjencë, ku u ankua nga pagjumësia mund të kishte shkaktuar një shqyrtim më të hollësishëm të gjendjes së tij.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes po shqyrton nga afër procesin e kontrolleve të punonjësve nëse mund të gjehen shenja paralajmëruese.

“Përse nuk u kapën shenjat paralajmëruese, përse ato nuk ishin pjesë e procesit hetimor, çfarë shenjash dha Aaron Alexis, që nuk u diktuan. Të gjitha këto janë çështje legjitime që ne duhet t’i shikojmë nga afër”.
Në rastin e Aaron Alexis, asnjë prej problemeve të tij nuk ishin të mjaftueshme veç e veç për të mos i dhënë atij kartën e identitetit, për të hyrë në godinë, dhe që ai të kalonte testin. Tani zyrtarët po e rimendojnë procesin me shpresë që të parandalohet ndonjë tragjedi tjetër.