Njerëz të SNS-së, deputetë serbë të Kosovës, si dhe ministra në Qeverinë e Kosovës janë angazhuar gjatë gjithë ditës për t’i organizuar votuesit serbë që ta hedhin votën e tyre për listën “Serbia fiton – Aleksandër Vuçiq”.
Madje, ministri i Qeverisë së Kosovës, Lubomir Mariq, është angazhuar vetë për transportin e romëve të Mitrovicës për të votuar për Vuçiqin. Opozita këto zgjedhje i quan shkelje të sovranitetit të vendit.
Serbët e Kosovës, që kanë dalë në zgjedhjet e organizuara për Parlamentin e Serbisë edhe në Kosovë, të dielën, me ndonjë ndryshim të vogël, kanë votuar masovisht për listën “Serbia fiton – Aleksandër Vuçiq”.
Kjo mbase u është bërë e qartë edhe përfaqësuesve të subjekteve tjera politike, të cilat nuk i janë bashkuar listës së Vuçiqit, për faktin se njerëz nga SNS-ja, ministra serbë, duke përfshirë edhe ata në Qeverinë e Kosovës, Lubomir Mariq, Dalibor Jevtiq, si dhe zëvendëskryeministri, Branimir Stojanoviq, janë angazhuar maksimalisht për t’i organizuar votuesit serbë që ta hedhin votën e tyre për listën “Serbia fiton – Aleksandër Vuçiq”, shkruan sot gazeta ‘Zeri’.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Lubomir Mariq, është përkujdesur vetë që t’i transportojë romët e jugut të Mitrovicës deri tek vendet e votimit në shkollën e mesme teknike “Mihajlo Petroviq – Allas” në veri të Mitrovicës.
Vozitësi i tij, Nemanja Miletiq, me një kombi që pohohet të jetë i njëfarë Ristiqit, kanë bartur votuesit romë të jugut të Mitrovicës dhe të gjithë ata janë udhëzuar apo edhe janë urdhëruar që të votojnë për listën e Vuçiqit. Një prej tyre, Gazmend Bajrami, i ka thënë “Zërit” se ka votuar për Vuçiqin sepse ashtu i ishte thënë, ndërkohë tregon se për këtë “shërbim” që ka bërë i ka marrë 30 euro. /Zëri/