Serbët pushtojnë pikat statike të policisë në Mitrovicë

Policia e Kosovës, në përputhje me premtimin e ministrit të Brendshëm Bajram Rexhepi, kishte vendosur sot disa pika statike të policisë në pjesët neuralgjike të pjesës veriore të Mitrovicës. Këso pikash, siç njoftohet, ishin vendosur jo vetëm te “Tre rrokaqiejt”, por edhe në disa zona të tjera të qytetit. Mirëpo, siç raportojnë mediet nga andej, grupe serbësh i kanë demoluar ato dhe tani vetë po i mbajnë nën kontroll, ndërsa policët e Kosovës tashmë janë larguar.
Nuk raportohet për të lënduar.

Rexhepi paralajmëron pikë statike policore në veri

 Pas sulmit të djeshëm me një mjet shpërthyes në banesën e familjes Haradinaj, me ç’rast humbi jetën kryefamiljari, Selveri, kurse lëndime morën anëtarët e tjerë të familjes, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi i deklaroi RTK-së se ka urdhëruar vendosjen e një pike statike policore në veri të Mitrovicës, në lagjen “Te tre rrokaqiejt”.

Por, ministri Rexhepi nuk mundi ta saktësojë nëse kjo pikë kontrolli do përbëhej vetëm nga policë të Kosovës, apo edhe me pjesëtarë të EULEX-it, ose edhe të KFOR-it. “Nuk mund ta them në këtë moment se si do të jetë ajo”, u shpreh Rexhepi.

Për shkak të pasigurisë si pasojë e provokimeve, incidenteve dhe sulmeve të vazhdueshme nga strukturat ilegale serbe në veri, banorët shqiptarë të veriut të Mitrovicës kaherë kishin kërkuar vendosjen e një pike statike policore në këtë pjesë të qytetit.

Por autoritetet e rendit deri tash nuk e kishin parë të udhës t’i përgjigjen kërkesës së banorëve, që kërkonin më shumë siguri. /koha/kohaislame

Artikulli paraprakDDR4 së pari në serverë
Artikulli vijuesLodrat mund të jenë të rrezikshme për fëmijët