Serbi, OJQ “Gratë në të Zeza”, performansë kundër racizmit

0
243

“Gratë në të Zeza” mbajtën një performansë në qendër të Beogradit për të treguar për situatën jonormale në Evropë dhe Serbi lidhur me fashizmin, islamofobinë…

 

BEOGRAD (AA) – Me rastin e 21 marsit, Ditës ndërkombëtare të Luftës Kundër Racizmit, organizata joqeveritare “Gratë në të Zeza” mbajti një performansë në qendër të Beogradit për të treguar për situatën jonormale në Evropë dhe Serbi lidhur me fashizmin, islamofobinë, homofobinë dhe ksenofobinë të cilën e shohin si diçka të zakontë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Jemi tubuar për të protestuar kundër gjithçka që po ndodhë në muajt e fundit në Evropë dhe për të përkrahur refugjatët dhe emigrantët të cilët ikin nga lufta e që nuk mirëpriten në Evropë, përfshirë Serbinë. Pas fotografisë së rreme të cilën e shfaqin politikanët tanë, fshihet brutaliteti policor dhe korrupsioni të cilët nuk shfaqen në media”, tha Mirko Medenica nga OJQ-ja “Gratë në të Zeza”.

Bashkë me “Gratë në të zeza”, performansin “Unë kam zgjedhjen time” e mbajtën edhe aktivistet e OJQ-së “Hapësira e Gruas” dhe “Rrjeti i grave rome” për të alarmuar për diskriminimin dhe shkeljen e të drejtave të njeriut.

“Romet përballen me racizëm. Është me rëndësi të dihet se rrënja e kësaj qëndron te mosnjohja e kulturave të ndryshme. Njerëzit në Serbi frikësohen nga gjithçka që është e huaj”, tha Vera Kurtiç nga Rrjeti i grave rome.

Ajo shtoi se problemet lidhur me diskriminimin mund të zgjidhen vetëm nëse bisedohet për to.