Serbia quditet pse Kosova do të kërkojë dëmshpërblim lufte

0
211

Autoritetet në Prishtinë do të kërkojnë nga Beogradi dëmshpërblim lufte, pjesëmarrje në pasurinë e ndërmarrjeve kosovare që kanë qenë në Serbi, ndarje të objekteve ushtarake dhe të ambasadave të ish–Jugosllavisë, merr vesh jo zyrtarisht gazeta e Beogradit Veçernje Novosti, transmeton Koha.net.

Këto kërkesa, si dhe çështja e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, do të vihen të tryezën e negociatave të Brukselit nga shqiptarët e Kosovës në vazhdim të dialogut dhe me këtë gjë, konstaton gazeta, negociatat do të viheshin në pozicionin pat. Sepse, edhe vetë debati për këto tema do të thoshte njohje praktike e shtetit, të cilin Novosti vazhdon ta quajë të rremë.

Me këto çështje kontestuese Prishtina do të përpiqet ta shtyjë në kalendar fazën e re të dialogut për normalizim të marrëdhënieve me Beogradin në Bruksel, vazhdimi i të cilit pritet më 9 shkurt. Veç kësaj, pala shqiptare do të përpiqet ta vështirësojë sa më shumë marrëveshjen për Asociacionin serb të Komunave. Në ndërkohë, pala serbe do të insistojë që në tavolinë të gjendet pasuria në Kosovë, pozita e Kishës ortodokse serbe dhe kthimi i të shpërngulurve.

Me dëmshpërblim lufte, siç thotë analisti Fatmir Sheholli, Prishtina kupton 127 mijë shtëpi të shkatërruara gjatë luftës, për pasurinë që ka qenë në pronën shoqërore të cilën e kanë shkatërruar forcat serbe si dhe kompensimin e familjeve anëtarët e të cilëve janë vrarë (mbi 13 mijë).