Frank de Boer duhet të presë akoma për fitoren e parë si trajner i Interit. Zikaltrit nuk arritën më shumë se një barazim 1-1 në shtëpi ndaj Palermos.
Pas humbjes në javën e parë ndaj Kievos, zikaltërit u gjenden sërish në vështirësi kur e panë veten në disavantazh përballë tifozëve të tyre.
Icardi mund të marrë meritat e golit, por ishte Antonio Candreva ai i cili bëri diferencën. Ai u fut nga stoli për ti dhënë mundësi sulmuesit argjentinas të shënojë vetëm pas 4 minutash në fushë.
Pavarësisht impaktit të ish-lacialit, Interi vuajti në fazën finale duke shpërdoruar shumë raste shënimi.
Pas një pjese të parë pa gola, djemtë e De Boer u gjetën në disavantazh kur Rispoli shënoi me të filluar pjesa e dytë. Barazimi erdhi vetëm në të 72-n, kur Icardi nuk gaboi me kokë për 1-1.