Serigrafi matematike me Nënë Terezën

Elton Hatibi

Përfshirja e Nënë Terezës në tekstet shkollore ka marrë trajta tërësisht origjinale, pikërisht në hapësira ku një personazh publik vështirë se mund të zërë vend natyrshëm. Huazimi me pak sforcim i Nënë Terezës nuk ndalet në rastin e personazhit të gërmës “Z” në Abetare, por imazhi i saj shfaqet edhe në tekstin e Matematikës së klasës së parë. Kështu imazhi i Nënë Terezës kapërcen kufijtë gjithnjë e më të shthurur të laikes për të hyrë mes kopshtijeve me domate, qershi dhe fruta të tjerë, nga ku vilen më së shumti shembujt fëminor që stimulojnë logjikën matematike. Insistimi gjerësisht që në klasën e parë në një personazh emblematik të diskutueshëm i huton fëmijët në një moment domethënës të formimit të tyre, atëherë kur ata lënë pas një edukim të bazuar kryesisht në lodra dhe zbavitje për t’u përshtatur me metodologji më sistematike dhe më intensive në nxënien e dijeve.

Autorët e tekstit të Matematikës së klasës së parë, të cilët janë jo pak por gjashtë vetë, nuk janë mjaftuar me sendet e natyrshme të botës fëminore, por në një ushtrim matematik diku nga mesi i librit kanë përfshirë imazhin e Nënë Terezës: janë rreshtuar dhjetë pulla postare me imazhin e saj, plus katër pulla të tjera postare po me të njëjtin imazh dhe fëmijës i është lënë që të nxjerrë përfundimin matematik. Këtu duhet të ndalemi disi për të kuptuar situatën. Vlen të përmendet se fëmijët shtatë vjeçar nuk e njohin ende konceptin e letërkëmbimit postar, sistemin e adresimit e aq më tepër pullën postare si një element zyrtar i këtij procesi komunikimi. Në librat e Abetares apo të Edukatës Shoqërore, lëndët e vetme me tekst veç Matematikës, nuk ka asnjë konkretizim të këtij procesi: posta dhe pullat postare nuk përmenden asnjëherë të vetme aty. Pa ditur se çfarë është vetë sendi, fëmijët thirren për ta shtuar apo pakësuar këtë send thjeshtë duke përdorur llogjikën se dhjetë të tilla plus katër të ngjashme japin një rezultat matematik. Po me këtë llogjikë të shkujdesur do të ishte normale që ushtrimet e matematikës të mund të ilustrohen edhe me statujëza të Budës, kuti votimi apo librezat e antarësisë në bibliotekë.

11934211_915948385144883_2104440495_nPulla postare këtu është përdorur si mjeti që sjell përpara fëmijëve imazhin e Nënë Terezës, e kudondodhur tashmë jo vetëm në tekstet e tjera mësimore por dhe në ambientet e çdo shkolle. Përsëritja vizive e veprimtares së njohur në ushtrimin e kërkuar matematik është e barabartë me teknikën pop art të riprodhimit në seri, dhe po e njëjta teknikë e servirur si ushtrim matematik shtrihet në kohë dhe hapësirë për t’u gjendur sërisht identike në tekstin e Matematikës të klasës së dytë. Shumëfishimi në seri si proces teknik është në vetvete shumatorja e imazheve të një personazhi a ngjarje, një ide konceptuale e autorit, që materializon kështu krijimin e tij artistik. Por sado që të jetë numri i riprodhimeve në seri, e gjitha kjo është në funksion të imazhit si subjekt i përzgjedhur; pra në rastin tonë, nëse ndjekim këtë teknikë komunikimi artistik, dhjetë Nënë Tereza plus katër të tjera, edhe kur je shtatë vjeç, apo edhe më i rritur, nuk mund të jenë vetëm se një Nënë Terezë.

Inspiruar nga imazhet tipike të kulturës së masës, pop arti si praktikë pikërisht me to ndërton një dimension përligjje artistike, por njëherazi ndërsa merr formë dhe ripërdor objektet dhe imazhet e kësaj kulture, në vetvete vepra pop art është një produkt konsumi. Në rastin tonë, për shkak të zbrastësisë domethënëse të imazhit të përzgjedhur, operacioni didaktik ka një funksion të dykahshëm por paradoksal: nga njëra anë me propozimin e imazhit të Nënë Terezës tentohet celebrimi i saj si një ikonë e plotë e kulturës masive, nga ana tjetër, që të konsumohet masivisht si mesazh, riciklohet imazhi i saj i fragmentuar në hapësirë, dhe përmes serigrafisë kërkohet teknikisht ngulitja që herët e këtij imazhi në memorien kolektive, që të mbërrijmë në “ikonizimin” e saj publik.

I zbrazur nga historicizmi, si në çdo manifestim të post-modernizmit, pikërisht tek serialiteti alla Andy Warhol pop arti gjen mekanizmin që me përsëritjen prodhon një efekt të barazvlefshëm me thellësinë, për të kornizuar kështu triumfin e së tashmes. Fytyrat e personazheve ikona të pop artit nuk tregojnë asgjë për atë që ata janë, familiarizimi i përditshmëm me imazhet e tyre e shpërqendron vëmendjen e publikut ndaj tyre. Vetëm me rimarrjen për së “dyti” portretet e tyre, duke i zhveshur nga dimensioni publicitar prej nga ku burojnë fitojnë tashmë një funksion të ri, atë artistik. Dekontekstualizimi i personazhit të nënë Terezes dhe vendosja e imazhit të saj në seri në një fletore pune apo libër matematike, është dëshmi autentike dhe e mjaftueshme e ripropozimit të saj publik si imazh preferencial.
images (1)Po ashtu, me pop artin formësohet ftohtësisht një referencë e ndryshme ndaj Natyrës, jo domosdoshmërish si në artin figurativ klasik. Pop arti shmang peisazhin human apo natyror, në të gjitha zbërthimet dhe larmitë përkatëse. Thënë me fjalët e Barthes: me pop artin Natyra konfirmohet si sociale absolute. Kultura e masës pashmangshëm orienton drejt sociales, drejt politikes, çdo manifestim artistik i saj është konkret, provokues dhe i kudogjindshëm. Me teknikën e serigrafisë mungesa e “origjinalit” dhe përhapja pafundësisht e kopjeve “të vërteta”, tashmë të stërshpërndara, konfirmon këtë transfigurim artistik të modernitetit. Kështu, Nënë Tereza si “ikonë” qëndrore u propozohet me ngut fëmijëve si një nga mishërimet kulmore dhe dominuese të kësaj forme moderne të Natyrës, aq më tepër kur ripërsëritja e saj si imazh ndodh mes një larmie sendesh dhe objektesh të vendosura aty në përputhje të natyrshme me domethënien e tyre.

Nënë Tereza nuk është një imazh tipik i kulturës masive për t’u marrë lehtësisht më pas si ripropozim nga publikut në ndihmë të rizbulimit të vetvetes, siç ndodh me Marylin Monroe ose celebritete të ngjashme. Në Amerikën e viteve 60 do të gjeje plot njerëz që kishin vizione mistike me Elvis Presley, ngjashëm si me cilindo personazh klasik të religjionit, ndërkohë në mjedisin tonë social, laik personazhi i Nënë Terezës nuk është asgjë më tepër se një përkujtim i përciptë ndaj fetares. Megjithatë, përmes kësaj teknike kontroverse, mbase të frymëzuar nga sllogani “just do it”, propozuesit e saj përpiqen dëshpërimisht të na e kurorëzojnë si një ikonë të kulturës së masës. Larg të qenit një ikonë tipike fetare, pasi ikona klasike si akumulim artistik artikulon brishtësi spirituale, një lloj mesazhi “teologjik” për gjithëkënd, tentohet të kontrabandohet imazhi i Nënë Terezës me pop art, edhe pse si inspirim dhe produkt i kulturës masive, pop arti është rezultat i drejpërdrejt i konsumerizmit dhe i industrializmit.

Vend i natyrshëm i “ikonës” është tempulli fetar, por zhveshur prej rolit të saj primar moderniteti e ka sjellë atë edhe në muzetë apo galeritë e artit. Pra sot përveç rolit ngushtësisht fetar për besimtarët respektivë, ikona i propozohet publikut si dëshmi e teknikave dhe perspektivave artistike duke kontekstualizuar domethënien e tyre në përputhje me kodet estetike përkatëse. “Ikona” të tilla si kjo e Nënë Terezës, për ashtu siç janë ndërtuar, nuk i qasen as tempujve fetarë as edhe tempujve të mirëfilltë të artit. At Florensky në të famshmen “Iconostasis” një tip të tillë ikone e konsideron larg cilitdo standarti kanonik. Për të prania në Kishë e këtij lloji “arti” fetar kërcet. Ikonën ai e përkufizon si “murin që ndanë dy botët…… limiti mes të dukshmes dhe të padukshmes”, rrjedhimisht jo çdo imazh i fetares është një manifestim i të shenjtës. Jashtë traditës, sipas tij, kjo lloj “ikone” kthehet në shpërfytyrim të saj.

Është e vështirë të besohet që ky operacion kompleks serigrafie në disa tekste mësimore të jetë një përsëritje e rastësishme. Përzgjedhja e pullës postare si mjeti me të cilin ripropozohet grafikisht për fëmijët imazhi i Nënë Terezës, është konceptualisht performanca e vërtetë e artit, mediumi që është vetë mesazhi. Duke mos “shkëlqyer” as në tempuj feje e as në galeri arti, imazhi i veprimtares së krishterë me një përkujdesje sistematike është shpërndarë eskluzivisht nga admiruesit e saj gjithandej në hapsirën publike e veçanërisht në tekstet mësimore, larg çdo konteksti përligjës. Megjithatë, qëllimi i vërtetë i ripropozimit të Nënë Terezës nuk është estetik, imazhi i saj i vendosur në tekstin e Matematikës penetron mendjet e pastra të fëmijëve si një parapërgatitje për mesazhet e tjera që do të përcjellë në të ardhen imazhi i saj, gjithnjë në përputhje me kurikulat shkollore.

Artikulli paraprakRealizmi socialist si prodhues i përfytyrimeve esktreme antifetare në letërsinë shqipe
Artikulli vijuesSi të mohosh gjenocidin përballë shkencës