Sesion i pazakontë në OKB: të gjithë akuzojnë Rusinë se po kryen krime lufte në Siri

Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Rusia u akuzua në mënyrë të drejtpëdrejtë dhe të vazhdueshme për krime lufte në një sesion të pazakontë, ndërkohë që shpresat për çfarëdo lloj armëpushimi janë rrënuar nga shkalla dhe forca e përdorur nga regjimi sirian në sulmin ndaj lindjes së Aleppos.
Akuzat për krime lufte përqëndrohen në përdorimin e gjerë të bombave anti-bunker dhe atyre ndezëse mbi 275 mijë civilët që jetojnë në lindje të qytetit, në zonat që kontrollohen nga kryengritësit. Këto armë sipas akuzuesve të Moskës, janë hedhur nga avionët luftarakë rusë.
“Bombat anti-bunker, që më së shumti përdoren për shkatërrimin e instalacioneve ushtarake, tashmë po shkatërrojnë shtëpi, po shpërthejnë strehat kundër bombardimeve që përdoren nga civilët, po sakatojnë e po vrasin me dhjetëra, në mos me qindra”, tha Matthew Rycroft, ambasadori britanik në OKB, gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë për Sirinë.
Bombardimi i Aleppos hyri në ditën e pestë radhazi të hënën, pasi 95 persona u vranë në lindje vetëm të dielën, sipas burimeve mjekësore. Një bilanc nga spitalet lokale e vendos numrin e të plagosurve në 398 persona, mes të cilëve 61 janë fëmijë.
“Ajo që ka ndodhur në tre ditët e fundit është e papërshkrueshme”, tha Mohammad Abu Rajab, doctor në një nga qendrat më të mëdha mjekësore në lindje të Aleppos. “Fjalët nuk arrijnë të përçojnë, fotografitë gjithashtu, çdo gjë është e kotë”.
Spitali i Abu Rajab priti 180 të vdekur dhe të plagosur të dielën, ndërsa gjashtë ndërruan jetë mëngjesin e së hënës.
“Imagjinoni të vdekurit që shtrihen në korridore, trupa dhe të plagosur e gjaku që dallon gjithandej”, tha ai. “Ne po shohim mungesë njerëzillëku, masakra të vërteta, armë të jashtëzakonshme shpërthimet e të cilave nuk janë dëgjuar kurrë më parë, e si kurrë më parë ato e dridhin tokën poshtë këmbëve tona”.
Në Moskë, ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov kritikoi Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë se po akuzojnë Rusinë për barbarizëm dhe krime lufte. “Ne nuk e pranojmë aspak tonin e përgjithshëm dhe retorikën e përfaqësuesve të Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara , që mund të dëmtojnë marrëdhëniet tona”, tha ai.
Po në Këshillin e Sigurimit, homologu francez François Delattre, tha se përdorimi i bombave anti-bunker dhe atyre ndezëse në zonat e populluara urbane është një krim lufte.
“Kjo nuk duhet të kalojë e pandëshkuar”, tha ai. “Mungesa e ndëshkueshmërisë thjesht nuk është një opcion në Siri.
“Aleppo është për Sirinë ajo që ishte Sarajevo për Bosnjën, apo Guernica për luftën civile në Spanjë”, tha i dërguari francez. “Këtë javë ne po kthehemi pas në histori si një javë ku diplomacia dështoi dhe triumfoi barbarizmi”.
Ambasadorja amerikane, Samantha Power, nënvizoi targetimin e tre nga katër qendrat në lindje të Aleppos që përdoren nga shërbimet vullnetare të emergjencës – Helmetat e Bardha – me pasojë shkatërrimin e pajisjeve që shpëtojnë jetë dhe me “varrosjen nën rrënoja në Aleppo të shumë njerëzve që mund të jenë gjallë e të vdesin aty”.
Ajo tha se ndërsa ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, fliste për rikthimin e paqes në Siri në takimet e javës së shkuar, bombat ndezëse ngarkoheshin në avionët rusë në përgatitje të ofensivës së re.
“Ajo që Rusia po sponsorizon dhe po bën nuk është kundër-terrorizëm. Është barbarizëm”, tha Power.
Ajo apeloi të gjithë të flisnin. “Historia nuk do na shohë me dashamirësi ne, anëtarët e Këshillit të Sigurimit që qëndrojmë të heshtur përballë këtyre masakrave”, tha ajo.
Në përgjigje, i dërguari rus në OKB, Vitaly Churkin, fajësoi kryengritësit për prishjen e armëpushimit njëjavor të mundësuar nga marrëveshja ruso-amerikane, përfshirë, sipas tij, edhe opozitën e moderuar mbështetur nga Perëndimi. Grupe ekstremiste në lindje të Aleppos po mbajnë peng popullsinë, pretendoi ai, duke ua ndaluar të largohen e duke i përdorur njerëzit si mburojë njerëzore.
Ai vlerësoi regjimin e Assad në Damask, për “vetëpërmbajtjen e admirueshme”, duke pretenduar se në fakt janë forcat sirianë të rrethuara dhe që qëllojnë ndaj lindjes së Aleppos vetëm si kundërpërgjigje.
Regjimi sirian e përdor fuqinë ajrore për të nxjerrë terroristët jashtë qytetit me viktima minimale ndër civilët”, tha Churkin duke hedhur poshtë raportimet për vrasje masive në lindje të Aleppos si fakte të rreme.
I dërguari special i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura, theksoi se armëpushimi kishte reduktuar në mënyrë domethënëse luftimet dhe i kishte bërë njerëzit optimistë.
“Që nga ajo ditë fatale, kemi parë përkeqësim të situatës në lindje të Aleppos drejt kulmeve të reja të tmerrit”, tha De Mistura.
Në përshkrimin e tij, Aleppo tashmë përjeton vetëm ditë, për shkak se natën bombardimet me bomba ndezëse krijojnë flakë të tilla që nuk lejojnë të bjerë errësira. “Nëse konfirmohen, përdorimi pa dallim e sistematik i armëve të tilla në zona ku ka civilë dhe infrastrukturë civile mund të deklarohen krime lufte”.

Artikulli paraprakSulm terrorist në Şırnak të Turqisë, 6 ushtarë humbin jetën
Artikulli vijuesBombardohet Halepi, 66 civilë të vrarë e 178 të plagosur