SHBA mbyll qeverinë, ndërpriten shërbimet

Akuzat dhe kundërakuzat janë ndezur pas dështimit të Senatit amerikan në miratimin e buxhetit të ri dhe parandalimit të mbylljes së qeverisë.

Projektligji për financimin e qeverisë federale në javët në vijim nuk mundi të marrë 60 votat e nevojshme dhe Trump tani akuzon demokratët se po vendosin politikën mbi interesat e popullit amerikan.

Në anën tjetër, demokratët fajësojnë atë për refuzimin e propozimeve të kompromisit bipartizan. Sidoqoftë, bisedimet do të vazhdojnë me shpresën se një zgjidhje do të gjendet para të hënës. Nëse jo, qindra e mijëra punonjës federalë përballen me perspektivën e mos daljes në punë në fillim të javës.

Hera e fundit kur ndodhi i njëjti skenar ishte në 2013-ën dhe mbyllja e qeverisë zgjati për 16 ditë. Sidoqoftë, kjo është hera e parë që mbyllja e qeverisë ndodh ndërsa një parti, kontrollon si Kongresin ashtu edhe Shtëpinë e Bardhë.

Por, republikanët nuk kanë vende të mjaftueshme në Kongres për të miratuar legjislacione të rëndësishme pa përkrahjen e të paktën disa demokratëve.

Buxheti amerikan duhet të miratohet nga 1 tetori, fillimi i vitit financiar federal. Por, kongresi shpesh ka dështuar ti përmbahet kësaj skadence dhe negociatat vijojnë edhe në vitin pasues me financimin e agjencive federale të shtyrë në bazë të përkohshme.
Fakti që kongresi dështoi të arrinte një marrëveshje për shtyrjen, që do të mbante qeverinë me financime deri më 16 shkurt, do të thotë që shumë agjenci federale do të mbyllen me përjashtim të shërbimeve të domosdoshme që mbrojnë jetën apo pronën, përfshirë sigurinë kombëtare, shërbimin postar, kontrollin e trafikut ajror, shërbimet mjeksore etj.
Mbyllja e qeverisë ndodhi pikërisht në përvjetorin e parë të inaugurimit të presidentit donald trump, i cili vendosi të shtynte edhe udhëtimin e tij në resortin mar a lago në florida, ku ai do të shtronte një darkë, me pjesmarrësit që do të paguanin deri në 250 mijë dollarë për një ftesë.

Top Channel

Artikulli paraprakNë këtë karrige nuk ulet më askush që nga 21 janar i vitit 2006
Artikulli vijuesA është Kimioterapia zgjedhja e duhur