Shtetet e Bashkuara i kanë inkurajuar Serbinë dhe Slloveninë që t’i ndryshojnë burimet e tyre energjetike duke u larguar nga gazi rus, për të qenë të sigurta se shkatërrimet eventuale potenciale nuk do t’i dëmtojnë ekonomitë e tyre, ka thënë Mary Burce Warlik, zëvendësndihmëse e sekretarit amerikan të shtetit për burime energjetike.
Në një intervistë për agjencinë Reuters në Tiranë ajo ka theksuar se Shtetet e Bashkuara besojnë se çështjet e sigurisë në Evropë janë shumë të rëndësishme dhe “realisht janë fundamentale për çështjet e sigurisë kombëtare dhe më gjërë”.
Serbia, që është kandidate për pranim në Bashkimin Evropian, varet pothuajse ekskluzivisht nga furnizuesit e gazit rus, ndërsa anëtarja e BE-së, Sllovenia, e importon më pak se gjysmën e gazit për nevojat e veta nga Rusia.
Shqipëria dhe Kosova, të dy vende aleate të forta të Shteteve të Bashkuara, nuk importojnë gaz nga Rusia, raporton Reuters.
Mary Bruce Warlick, ish-ambasadore amerikane në Serbi, tha se Shtetet e Bashkuara kanë diskutuar për shumëllojshmëfrinë e burimeve të energjisë me një numër të vendeve evropiane, që varen nga gazi rus.
“Qasja jonë nuk ishte që ne të themi se gazi rus nuk duhet të mbetet ashtu siç është, një pjesë e rëndësishme e ekuacionit në Evropë, por thjesht që të gjitha vendet të mendojnë përsëri se si e pozicionojnë vetveten për diversitetin e përzierjes së tyre energjetike”, tha Mary Bruce Warlick